Vllaznia merr arratinë, ecuria mbresëlënëse sjell 9 ndeshje pa humbje
Vllaznia po kalon një nga momentet më të ndritura të sezoneve të fundit, duke u shndërruar në skuadrën më konstante dhe më bindëse të kampionatit. Shkodranët kanë marrë kryesimin e renditjes me plot 45 pikë pas 23 javësh, një tregues i qartë i një rruge të ndërtuar me kujdes, disiplinë dhe besim.

Kuqeblutë sot nuk janë thjesht në krye të tabelës, por edhe në krye të vëmendjes së gjithë futbollit shqiptar. Statistikat flasin qartë për formën e shkëlqyer të ekipit: Vllaznia është skuadra që ka shënuar më shumë gola në kampionat, 30 të tillë, ndërsa njëkohësisht mban edhe mbrojtjen më të fortë, me vetëm 16 gola të pësuar. Një ekuilibër i rrallë mes forcës sulmuese dhe sigurisë prapa, që e bën skuadrën shkodrane një kundërshtar të vështirë për këdo.
Në fushë, Vllaznia ngjan me një mekanizëm të saktë, ku çdo hallkë funksionon në harmoni. Nën drejtimin e trajnerit Martini, skuadra ka gjetur identitetin e saj të plotë. Prej më shumë se dy muajsh, fjala “humbje” nuk ekziston në fjalorin e Vllaznisë. Në 9 ndeshjet e fundit, kuqeblutë kanë regjistruar 7 fitore dhe 2 barazime, duke treguar jo vetëm cilësi, por edhe mentalitet fitues, atë që shpesh bën diferencën në garën për titull. Disfata e fundit daton më 08.12.2025, ndaj Elbasanit, me rezultatin minimal 1-0, në kuadër të javës së 15-të të kampionatit.
Që nga ajo ditë, Vllaznia ka ndryshuar marsh, duke mos lejuar më asnjë hap fals. Ishte një ndalesë që duket se shërbeu si pikë kthese, duke forcuar karakterin e skuadrës dhe duke rritur urin për sukses. Në këtë periudhë, kampionët e vendit kanë marrë vetëm rezultate pozitive në 9 përballje radhazi, duke e bërë vazhdimësinë armën e tyre më të fortë.
Veçanërisht e spikatur është faza e fundit, ku Vllaznia ka arritur 6 fitore radhazi mes kampionatit dhe Kupës, një seri që flet për superioritet dhe qetësi në lojë. Një skuadër që di të fitojë edhe kur nuk shkëlqen, por që shpeshherë bind me autoritet. Edhe më mbresëlënëse është fakti se në këto ndeshje, Vllaznia nuk ka pësuar asnjë gol. Porta e shkodranëve është shndërruar në një fortesë, ku kundërshtarët rrallë gjejnë hapësira. Mbrojtja, e organizuar dhe e përqendruar, është pasqyra e një pune të gjatë dhe të detajuar në stërvitje.
Në Shkodër, entuziazmi është i prekshëm dhe besimi po rritet ndeshje pas ndeshjeje. Vllaznia e këtij sezoni nuk premton me fjalë, por flet me rezultate. Me sulmin dhe mbrojtjen më të mirë të kampionatit, me një seri pozitive që zgjatet dhe me një identitet të qartë loje, kuqeblutë duken gati të luftojnë deri në fund për objektivin madhor. Dhe kur Vllaznia është në formë, kampionati merr tjetër ngjyrë dhe emocion gjate zhvillimit të tij.
PANORAMASPORT.AL













