Vllaznia ka gati planin anti-Egnatia, Brdariç planifikon luftë në mesfushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2025 | 18:05

Vllaznia ka gati planin anti-Egnatia, Brdariç planifikon luftë në mesfushë

Te Vllaznia kanë nisur përgatitjet për finalen e sezonit kundër Egnatias. Sfidë që do të luhet ditën e hënë, në orën 20:00, në stadiumin “Arena Kombëtare” të kryeqyteti. Kuqeblutë që nuk duan të gabojnë dhe të rikthejnë titullin në Shkodër pas 24 vitesh, kanë analizuar në detaj çdo pikë të fortë apo të dobët të kundërshtarit.

vllaznia

Kështu, sipas shkodranëve, pika më e fortë e rrogozhinasve është reparti i tyre i mesfushës, ku, përveçse niset çdo manovër sulmuese me emra si Ujka apo Lushkja, është edhe barriera e parë e sulmeve kundërshtare me dyshen Fernando-Aleksi. Një repart që shpesh luan dhe interpretohet në formën e rombit nga ana e trajnerit Tetova. Fakt që është analizuar nga kolegu dhe kundërshtari i tij për këtë finale, Thomas Brdariç.

Me trajnerin gjerman që po ashtu pritet t’i “përgjigjet” me të njëjtat “armë” Tetovës, ku, përveç treshes së zakonshme të mesfushës që pritet të jetë titullare, Krymi-Qato-Deliu, për të ndihmuar këtë repart do “zbresë” edhe Mala.

Me mesfushorin anësor që pritet të jetë pika kyçe për nisjen e sulmeve kuqeblu, në një pozicion të cilin ai e ka luajtur disa herë këtë sezon. Një duel që po përgatitet në detaje në kampin shkodran, që kërkon ta ndërtojë në perfeksion finalen e së hënës.

PANORAMASPORT.AL