Vllaznia do e kujtojë për shumë kohë makthin e “Final 4”, 0 pikë ndaj rivalëve direktë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 2, 2026 | 23:19

Vllaznia do e kujtojë për shumë kohë makthin e “Final 4”, 0 pikë ndaj rivalëve direktë

Nëse ka një tregues që shpjegon më së miri dështimin e Vllaznisë në momentin vendimtar të sezonit, ai gjendet te statistikat e përballjeve në “Final 4”. Pikërisht aty ku duhej të konfirmonte forcën e treguar gjatë kampionatit, skuadra shkodrane u shpërfytyrua, duke regjistruar një bilanc alarmant ndaj rivalëve direktë për titullin.

martini

Tre ndeshje, tre humbje. Një statistikë që flat qartë për vështirësitë e kuqebluve në sfidat më të rëndësishme të sezonit. Fillimisht erdhi humbja 0-2 ndaj Dinamos, më pas disfata 1-2 përballë kampiones Egnatia dhe në fund një tjetër rezultat identik, 1-2 ndaj Elbasanit. Në vend që të ngrinte nivelin e lojës në fazën ku vendosej gjithçka, Vllaznia bëri të kundërtën, duke humbur çdo duel me rivalët kryesorë.

Shifrat janë edhe më domethënëse. Vetëm dy gola të shënuar dhe plot gjashtë të pësuar në tre ndeshje tregojnë qartë mungesën e ekuilibrit si në repartin ofensiv, ashtu edhe në atë mbrojtës. Një skuadër që gjatë sezonit kishte dhënë sinjale force dhe kishte qëndruar në krye të renditjes për një kohë të gjatë, nuk arriti të gjente as ritmin dhe as personalitetin në momentin kur kërkohej më shumë se kurrë.

Ajo që bie më shumë në sy është fakti se Vllaznia nuk humbi vetëm në rezultat, por edhe në paraqitje. Në secilën prej sfidave ndaj Dinamos, Egnatias dhe Elbasanit, skuadra e drejtuar nga Edi Martini u shfaq inferiore ndaj kundërshtarëve në aspektin e menaxhimit të ndeshjes, agresivitetit dhe efikasitetit para portës. Diferenca që duhej të bëhej nga kuqeblutë në “Final 4” nuk u pa në asnjë moment.

Për një ekip që synonte titullin kampion, ky bilanc përbën një dështim të madh sportiv. “Final 4” ishte prova e karakterit dhe e pjekurisë së skuadrës, por statistikat tregojnë se Vllaznia nuk ishte në lartësinë e pritshmërive. Tre humbje në tre ndeshje, vetëm dy gola të realizuar dhe gjashtë të pësuar përbëjnë një bilanc katastrofik, që shpjegon pse sezoni përfundoi pa trofe dhe pse ëndrra e rikthimit të titullit në Shkodër mbetet ende e parealizuar.

PANORAMASPORT.AL