Vllaznia beson te Kupa e Shqipërisë, por sytë e shkodranëve janë nga titulli
Vllaznia vijon me përgatitjet dimërore në Ulqin, ku shkodranët janë zhvendosur prej 3 ditësh, për të nisur vitin 2026 në formën më të mirë fizike të mundshme.

Dhe ky vit do hapet me një ndeshje kupe dhe jo kampionati për të gjitha skuadrat e elitës së futbollit tonë. Kështu shorti i ka prezantuar kuqebluve si kundërshtar pikërisht Pogradecin, që do jetë “pengesa” e parë për shkodranët në vitin 2026.
Por, statistikat në kompeticionin e kupës tregojnë për një ecuri shumë pozitive të shkodranëve. Kështu 9 herë kampionët e vendit janë shfaqur gjithmonë seriozë në 5 sezonet e fundit përsa i përket kupës. Në sezonin e shkuar, atë 2024- 25, shkodranët u eliminuan vetëm në gjysmëfinale kundër Dinamos, që ishte më pas edhe fituese e kompeticionit. Po ashtu në sezonet 2023-24 dhe 2022-23, Vllaznia është eliminuar në gjysmëfinalet e kupës.
Dhe në të dy rastet ka qenë Egnatia ajo që ka “nxjerrë” nga gara shkodranët, që në fund ka qenë edhe fituese e kupës në sezonet e sipër përmendura. Por, shkodranët kanë qenë triumfues në kupë në sezonet 2021- 22 dhe 2020-21, ku i kanë shkuar deri në fund edicionit dhe fituar trofeun. Respektivisht kundër Laçit me rezultatin 2- 1 pas kohëve shtesë e po ashtu kundër Skënderbeut me rezultatin 1-0. Duke treguar kështu qartazi se dedikimi dhe ambiciet kanë qenë maksimale për shkodranët në kupë. Të cilët edhe kësaj radhe do të kërkojnë të shfaqin vlerat e tyre dhe të tentojnë fitimin e trofeut në fundin e sezonit.
MUNDËSI PËR TË RINJTË DHE STOLIN – Ndeshja e parë e vitit 2026 për Vllazninë do jetë ajo e turit të 1/8 kundër Pogradecit, me shkodranët që do i presin liqenorët në Shkodër ditën e shtunë në orën 16:00. Pavarësisht se qëllimet kryesore dhe ambiciet më të mëdha për kuqeblutë janë në kampionat edhe kompeticioni i kupës nuk përjashtohet aspak nga ana e 9 herë kampionëve të vendit. Ku edhe pse është trofeu i dytë nga rëndësia në vend, nuk nënvlerësohet aspak dhe dedikimi do jetë shumë serioz. Kjo për t’i bërë një nisje sa më të mirë vitit 2026 e po ashtu për ta zgjidhur sa më shpejt një ndeshje që gjatë minutave mund të komplikohet në “Loro Boriçi”. Por, pavarësisht vlerësimit të kundërshtarit, që po zhvillon një kampionat shumë pozitiv në Kategorinë e Parë, ku synon ngjitjen në Superiore në fund të sezonit dhe vlerësimit të kompeticionit, te Vllaznia në ndeshjen e së shtunës duket se do ketë hapësirë për disa elementë për të treguar vlerat e tyre në këtë fillim viti.
Kështu formacioni që do të zbresë në fushë ndaj pogradecarëve nuk pritet të jetë më i miri i mundshëm për shkodranët, të cilët një “mendje” e kanë edhe tek ndeshja e javës së 19-të në kampionat kundër Egnatias. Një duel që konsiderohet jashtëzakonisht i rëndësishëm për fatet e kuqebluve në ecurinë e ligës dhe në këtë mënyrë përballë Pogradecit pritet që në fushë të ketë edhe futbollistë që nuk kanë pasur aq shumë minuta këtë sezon. Apo edhe futbollistë të rinj që kanë ardhur nga akademia rishtazi dhe nuk kanë pasur mundësi të tregojnë vlerat e tyre. Kjo për t’i dhënë një “shtysë” ndoshta edhe atyre që nuk kanë qenë protagonistë për të bindur Martinin për gjysmën e dytë të sezonit, por edhe për të mos rrezikuar me gjithë titullarët, në një moment ku pas “dere” qëndron ndeshja me Egnatian në kampionat.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













