Viti 2026 ters për Dinamon, pretendentja me shifra për rënie nga Kategoria
Forma e Dinamos në javët e fundit ka ngritur alarmin në kampin blu duke qenë një nga momentet më të vështira të skuadrës së Dinamos në vitet e fundit në Superiore. Skuadra po kalon një moment delikat, ku mungesa e rezultateve ka ndikuar drejtpërdrejt në klasifikim duke humbur terren si edhe në rritjen e presionit për javët e mbetura.

FORMA E SKUADRËS- Në gjashtë ndeshjet e fundit të kampionatit, Dinamo ka hasur vështirësi për të ruajtur vazhdimësinë që kishte deri para fundvitit, e madje ende nuk ka arritur të gjejë fitoren e parë për këtë vit në Superiore. Barazimet e shpeshta kanë ndalur hovin, ndërsa humbjet në përballje direkte me rivalë të rëndësishëm kanë lënë pasoja jo vetëm në tabelë dhe në moral. Përballjet me skuadra si Vllaznia dhe Elbasani kanë treguar se Dinamo e ka pasur të vështirë të përballet me skuadrat direkte për titull duke sjellë edhe diferencë të konsiderueshme me ta, ndërkohë që barazimet ndaj ekipeve si Bylis, Tirana dhe Flamurtari, që ndodhen në zonën e poshtme të renditjes, kanë qenë një tjetër sinjal shqetësues.
Duke përjashtuar Bylisin, Tirana dhe Flamurtari ishin dy skuadra ndaj së cilave Dinamo kishte marrë 12 pikë në dy fazat e para, por në fazën e tretë u detyrua të mjaftohet me vetëm 2 pikë. Faza e tretë nuk ka nisur sipas pritshmërive. Ritmi i ngadaltë, vështirësitë në shënim dhe luhatjet në mbrojtje kanë bërë që skuadra të mos arrijë të marrë maksimumin.
RENDITJA E FAZËS SË TRETË- Nëse i referohemi ecurisë së javëve të fundit dhe e krahasojmë me skuadrat e katërshes së parë në renditjen e përgjithshme, diferenca është e dukshme. Në gjashtë ndeshjet e para, Dinamo ka marrë vetëm 4 pikë dhe është një nga skuadrat që do të luftonte për mbijetesë nëse kampionati do të kishte nisur në janar. Më keq se Teuta ka bërë vetëm Bylisi i vendit të fundit që ka vetëm 2 pikë, një nga të cilat ia ka marrë pikërisht Dinamos në kryeqytet.
Vllaznia ka treguar stabilitet dhe vazhdimësi, duke mbajtur ritëm kampioni e duke u shkëputur nga të gjitha skuadrat e tjera. Edhe Egnatia me Elbasanin kanë qenë konstante në rezultate, ndërsa Partizani pavarësisht luhatjeve, ka ditur të reagojë në momentet kyçe duke u kthyer në një rival për vendin e katërt pasi diferenca mes dy skuadrave, tashmë është vetëm 3 pikë dhe dy skuadrat kanë edhe 2 ndeshje mes tyre. Në kontrast, Dinamo ka humbur terren. Aty ku skuadrat e kreut kanë shfrytëzuar përballjet direkte për të konsoliduar pozitat, blutë nuk kanë arritur të marrin maksimumin. Diferenca nuk është vetëm në pikë, por edhe në qartësinë e lojës si edhe në golat e pësuar pasi mbrojtja nuk po e jep më garancinë që kishte dikur.

Shpesh herë, “nëndetësja” është kushtëzuar edhe nga gabimet individuale të lojtarëve dhe mungesës së konkretizimit para portës pasi rastet nuk kanë munguar. Kjo ka bërë që distanca me zonën e sipërme të rritet, ndërsa presioni nga poshtë të shtohet. Në këtë pikë të sezonit, çdo javë merr peshë specifike. Dinamo nuk ka më luksin e gabimeve.
Për të ndryshuar historinë e këtij kampionati, skuadra duhet të gjejë menjëherë stabilitet, të rikthejë besimin dhe të fitojë pikët e nevojshme për të qëndruar në garë deri në momentet e fundit. Sezoni është ende i hapur, por koha për reagim po ngushtohet. Për Dinamon, javët në vijim do të jenë një test karakteri për të treguar nëse kjo skuadër do të luftojë deri në fund apo do të mbetet peng i momentit të saj më të vështirë.
ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL













