Vila i jep moral Teutës: Me Vllazninë na mungoi përqendrimi, fokusi është tek Elbasani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2026 | 22:50

Vila i jep moral Teutës: Me Vllazninë na mungoi përqendrimi, fokusi është tek Elbasani

Teuta u ndal në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, duke pësuar një humbje që ka lënë shije të hidhur në kampin durrsak. Mesfushori Emilino Vila flet për arsyet e këtij rezultati dhe për përgatitjet për duelin e radhës ndaj Elbasanit.

vila

Emiliano, si e analizoni humbjen ndaj Vllaznisë? Çfarë nuk shkoi për Teutën?
Ishte një ndeshje e vështirë dhe e luftuar. Mendoj se na mungoi përqendrimi në disa momente vendimtare dhe nuk arritëm të shfrytëzonim rastet që krijuam. Kundërshtari u tregua më konkret dhe në futboll kjo bën diferencën.

A ishte kjo humbje më shumë për shkak të gabimeve tuaja apo meritë e Vllaznisë?
Ka të dyja. Ne bëmë disa gabime që nuk duhen bërë në këto nivele, por edhe Vllaznia është një skuadër me përvojë dhe cilësi, që di ta ndëshkojë çdo pakujdesi.

Si është gjendja e skuadrës pas këtij rezultati?
Normalisht ka zhgënjim, sepse donim pikë, por grupi është i bashkuar. Kemi analizuar gabimet dhe tani po shohim përpara. Kampionati është i gjatë dhe nuk ka kohë për t’u ndalur te një ndeshje.

Ju pret një tjetër duel i rëndësishëm me Elbasanin. Çfarë prisni?
Elbasani është një ekip që lufton shumë dhe nuk të fal. Duhet të jemi maksimalisht të përqendruar nga minuta e parë deri në fund. Për ne është një ndeshje shumë e rëndësishme dhe synimi është vetëm rezultati pozitiv.

Çfarë duhet të bëjë Teuta ndryshe për të rikthyer fitoren?
Më shumë qetësi me topin, më shumë agresivitet pozitiv dhe mbi të gjitha disiplinë taktike. Nëse jemi të bashkuar dhe zbatojmë atë që na kërkon stafi, jam i bindur se do të kthehemi te rezultatet.

ZAMIR QYPI – PANORAMASPORT.AL