VIDEO/ Partizani “blindohet” në sulm, kush është lojtari polivalent që u afrua
Judah Emanuel Garsia është lojtari më i ri i Partizanit. “Panorama Sport” mësoi ekskluzivisht se sulmuesi 24-vjeçar ka firmosur dhe u bashkohet të kuqve në Ohër, ku po zhvillohet faza përgatitore. Garsia mbylli eksperiencën me AEK B në Greqi, ndërsa afrohet si futbollist që numëron paraqitje me përfaqësuesen e Trinidad Tobagos.

PROFILI- Bëhet fjalë për një lojtar polivalent, që do të japë kontributin e tij te Partizani. Garsia mund të luajë në të dy krahët e sulmit dhe po ashtu si sulmues i dytë. Më parë ka mbajtur edhe rolin e fantazistit. Një profil ky, për të cilin Partizani kishte nevojë.
KONTRATA- Garsia ka firmosur te Partizani kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi dhe për 1 tjetër. Kjo kontratë është aplikuar po ashtu tek Isgandarli dhe Martinez më parë. Vetëm Skuka ka firmosur për tre vite në këtë merkato vere.
KARRIERA- Gjithçka nisi në Trinidad Tobago në vitin 2018. Garsia luajti me Point Fortin. Më pas u transferua dhe luajti për periudhë të shkurtër te Neroca në Indi. AEK e afroi për ekipin B në vitin 2021. Prej atëherë luajti me ta, ndërsa sezonin e fundit dha kontributin e tij në kategorinë e dytë të futbollit grek. Ishte viti 2022, kur provoi të qëndronte në stol si opsion për ekipin e parë të AEK-ut në Greqi.
FAMILJA- Judah Garsia vjen nga familje ku tre vëllezër janë futbollistë. Lojtari më i ri i Partizanit është vëllai i Natanielit dhe Levit. Levi Garsia është pjesë e Spartak Moskës, që e bleu nga AEK-u në shkurt për rreth 19 milionë euro.
NJOFTIMI I KLUBIT- “Mirë se vjen Judah Garsia! Sulmuesi anësor i bashkohet ekipit në Ohër. Judah Garcia është lojtari më i ri i Partizanit. Klubi njofton arritjen e marrëveshjes me sulmuesin anësor nga Trinidad Tobago. 24-vjeçari u bashkohet të kuqve pas eksperiencës te AEK Athina B në kampionatin grek. Garcia, i cili është njëkohësisht edhe pjesë e përfaqësueses së Trinidad Tobago ka nënshkruar me të kuqtë një kontratë 1+1”.
ZYRTARIZIMET- Partizani ka katër zyrtarizime deri tani, ndërsa nuk do e mbyllë me kaq. Janë afruar sipas radhës Skuka, Isgandarli, Martinez dhe Garsia. Bie në sy se tre prej tyre luajnë në sulm, ndërsa Martinez plotësoi boshllëkun e madh në krahun e djathtë të mbrojtjes.
LARGIMET- Partizani nga skuadra që mbylli sezonin e kaluar, nuk ka në Ohër, Padstrelaun, Eleken, Vujnoviçin, Taipin, Domgjonin, Osmanllarin dhe Mintongon. Henri Zuna, që ishte i huazuar te Kastrioti, po ashtu nga dje konsiderohet lojtar i lirë. Partizani do të përforcohet sërish gjatë muajit qershor. Kryeqytetasit po monitorojnë disa emra, për të plotësuar ekipin e drejtuar nga Skënder Gega.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













