VIDEO/ Bardheblutë e Tiranës në fazë, udhëtim me disa mungesa
Tirana udhëtoi dje drejt Greqisë, ku do të zhvillojë fazën përgatitore. Skuadra do të qëndrojë deri në datën 9 gusht në tokën greke. Gjatë paradites së djeshme, ekipi u stërvit dhe më pas mori rrugën drejt Kapshticës për të vajtur në destinacion.

Mungesat – Pas takimeve të zakonshme me drejtuesit u vu re mungesa e disa lojtarëve. Aldi Gjumsi që është i dëmtuar. Qëndrim Ismajli ishte një tjetër futbollist që nuk u pa i planifikuar në fazë. Lojtari vazhdon të jetë pikëpyetje te Tirana.
Ai ka një dëmtim në shpinë që vazhdon ta mundojë. Jo vetëm kaq, por mjekët disa herë kanë bërë ndërhyrje të ndryshme dhe nuk ia kanë dalë. Lojtari humbi gjithë pjesën e dytë të sezonit të shkuar nga ky dëmtim misterioz. Ismajli erdhi verën e shkuar nga Gjilani. Ai në pjesën e parë të sezonit luajti 23 takime, duke shënuar 3 gola, me një prezencë në fushë prej 1562 minutash.
Lojtari, nga janari e në vazhdim, u dëmtua dhe nuk arriti të luante. Futbollisti do të jetë gati vetëm për sezonin e ri futbollistik, gjithmonë nëse do të gjendet dëmtimi. Me skuadrën nuk është bashkuar ende afrikani i krahut të majtë, Abel Abah.
Lojtari është larguar që në fund të majit në shtëpi dhe ende nuk është kthyer. Drejtuesit nuk e kanë larguar, por problemi aktual është bllokimi i tij në Afrikë. Çështja e vizës e mban larg lojtarin, i cili do të bashkohet me grupin gjatë fazës përgatitore në Greqi. Për lojtarët e huaj nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë. Afrikanët kanë pasur gjithmonë probleme me vizat, ndërsa çështja e Abah do të zgjidhet në ditët në vazhdim.
KOLA – Edhe mbrojtësi Edison Kola nuk ishte me grupin. Lojtari ka udhëtuar më parë drejt Greqisë. Mbrojtësi ka marrë leje për të qenë në shtëpi dhe do të bashkohet me skuadrën në fazën përgatitore.
PANORAMASPORT.AL













