VËZHGIMI/ Penalltitë, “armiku” i heshtur i Egnatias. Kampionët nuk i përmbysin dot
Partizani duket se është skuadra që po ia prish jo pak planet Egnatias dhe e ka vënë në siklet sa i përket arritjes së objektivave.

Dy humbjet e fundit ndaj të kuqve, në Kupë dhe kampionat, po vënë në rrezik vendin e parë dhe njëkohësisht shkuarjen në finale të Kupës. Mirëpo, ajo që ka rënë në sy gjatë këtyre dy humbjeve është se ato kanë ardhur në mënyrë identike, ku kampionët janë mundur me penallti.
Sipas një vëzhgimi të bërë nga “Panorama Sport”, rrogozhinasit nuk i kanë punët mirë sa herë pësojnë gol nga pika e bardhë e penalltisë. Nga ana tjetër, duket se kur i ka ato në favor arrin t’i shfrytëzojë ashtu siç duhet. Këtu nuk llogariten rastet kur kundërshtari e ka humbur penalltinë apo Egnatia ka gabuar kur e ka pasur në favor, por vetëm ato që janë shënuar dhe pësuar deri më tani.
PENALLTITË KUNDËR – Të kesh një penallti kundër është një minus për çdo skuadër, sepse praktikisht është një gol për kundërshtarin. Kështu ka ndodhur edhe me Egnatian këtë sezon, e cila ka treguar dobësinë e saj sa herë që pëson gol nga pika e bardhë e 11-të metrave. Më konkretisht, këtë edicion kampionët kanë nxjerrë topin nga rrjeta plot gjashtë herë në po kaq ndeshje sa i përket atyre të pësuara me penallti. Bilanci është negativ. Thuhet kështu, sepse nuk kanë fituar në asnjë ndeshje kur janë ndëshkuar nga 11 metrat, me një bilanc prej katër humbjesh dhe vetëm dy barazimesh. Sigurisht, ato që rëndojnë më shumë janë dy të fundit me Partizanin, edhe për faktin se kanë ardhur në momentin më kulminant të kampionatit.
PENALLTITË NË FAVOR – E kundërta ndodh me Egnatian kur penalltinë e ka në favor dhe arrin ta shënojë gol. Ekipi arrin të fitojë në pjesën dërrmuese të ndeshjeve, duke treguar se kampionët kanë ditur ta shfrytëzojnë mirë mundësinë që kanë pasur përgjatë ndeshjes. Më konkretisht, mes kampionatit dhe Kupës, rrogozhinasit kanë shënuar më tetë ndeshje me anë të 11- metërshit. Sa i përket bilancit në fund të 90 minutave, të besuarit e Edlir Tetovës kanë fituar në gjashtë prej tyre, si edhe kanë barazuar dhe humbur vetëm një herë. Praktikisht, tregohet se ekipi reagon mirë nga “asisti” që i jepet gjatë një ndeshjeje, edhe pse në shumë raste nuk ka pasur nevojë për to.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













