Vëzhgimi i “Panorama Sport”/ Europë dhe Superiore, ja Partizani i 2025-ës. Sa lojtarë janë aktivizuar në gjithë sezonin
Partizani i sezonit 2025/ 26 ka hasur vështirësitë e tij. Gjithçka nisi në Europë ku dështoi duke u eliminuar që në turin e parë të Ligës së Konferencës.
Kampionati po ashtu nuk ka qenë i suksesshëm, pasi në përfundim të gjysmës së parë të sezonit mban vetëm vendin e gjashtë. “Panorama Sport” iu sjell një vëzhgim të kryer sa u përket lojtarëve të aktivizuar. Bëhet fjalë për 20 ndeshje në total, përmes Europës dhe kampionatit. Fakt është se asnjë klub tjetër nuk ka aktivizuar 34 lojtarë gjatë sezonit si Partizani. Ndërkohë që bëhet fjalë për pesë futbollistë të tjerë, që u kanë munguar minutat.
QIRKO- Portieri i Partizanit numëron 1515 minuta duke u vendosur në krye të listës, ndërsa për të numërohen 17 paraqitje. Gjatë kampionatit pësoi një dëmtim në stërvitje, që e la jashtë në disa ndeshje ku luajti Alban Hoxha. Qirko numëron 15 paraqitje në Superiore dhe 12 gola të pësuar. Në tetë sfida porta është mbajtur e paprekur. Në Europë i luante të dyja ndeshjet nga fillimi duke pësuar nga një gol për secilën.
ISGANDARLI- Futbollisti me më tepër paraqitje gjatë kërtij sezoni është Vusal Isgandarli. Sulmuesi azer është aktivizuar në 18 nga 20 ndeshjet e mundshme. Për më tepër është rast unik, pasi gjithmonë e nis nga minuta e parë. Vetëm dy raste nuk luajti. Fillimisht në sfidën e parë të Europës ndaj Kaljus në Estoni. Shkak për këtë u bë mungesa e dokumentacionit. Isgandarli nuk luajti në Superiore vetëm në derbin e parë me Tiranën, që u humb me rezultatin 0-3.
PA MINUTA- Katër futbollistë të Partizanit nuk numërojnë minuta për këtë sezon, edhe pse kanë provuar të jenë pjesë e skuadrës. Bëhet fjalë për portierin e tretë Skandër Tahrin, Denis Sulon, Oresti Rifën dhe Enea Kokomanin. Tre emrat e fundit ndërkohë janë parë si elementë të rëndësishëm për ekipin B.

GOLAT- Partizani nuk është shquar sa u përket golave, për këtë edicion. Nga lojtarët e kuq janë shënuar vetëm 14 gola në 20 ndeshje duke treguar problemin e fazës ofensive. Këtu llogariten edhe golat me penallti të Isgandarlit, Skukës dhe Tomës. Të tri këto lojtarë, që bashkë me Diego Kontreras numërojnë nga tri gola të shënuar. Një shifër mjaft zhgënjyese, për një klub që pretendon të bëjë diferencën. Rrugën e rrjetës e kanë gjetur edhe Kazim Ogunleje me Rouen Hjumen. Ky i fundit zhbllokoi derbin me Tiranën në fazën e dytë. Ogunleje i shënoi Egnatias në transfertën e humbur 2 me 1.
KËRNAJA- Partizani i besoi Kërnajës, që të drejtonte ekipin nga muaji tetor. Debutimi i tij erdhi duke qenë 37 vjeç dhe 15 ditë, pikërisht në javën e shtatë të Superiores. Kështu qëndron si një ndër trajnerët më të rinj që ka debutuar në Superiore gjatë viteve të fundit. Poshtë tij mbeten emra si Hallaçi, Abilaliaj, Klodian Duro, Zekirija Ramadani, Memelli, Ahmataj, Shkëmbi, Mezani, Mile, Cungu, Egbo, Edlir Tetova etj.
PANORAMASPORT.AL













