Vështirësitë e Partizanit, “Demat” kërkojnë fushë natyrale për stërvitje
Partizani është skuadra e parë mes katër ekipeve të Europës që është rikthyer në stërvitje dhe prej gati dy javësh vijon seancat me ritëm të lartë në fushën e stadiumit “Arena e Demave”.

Deri më tani fatmirësisht lojtarët nuk kanë pasur dëmtime të rënda, por fakti është se fusha e impiantit të kuq nuk është e përshtatshme për stërvitje të nivelit të lartë për shkak të ngurtësisë së saj, çka e bën të rrezikohen çdo ditë e më shumë dëmtime të lojtarëve.
Nisur nga ky fakt, Partizani mësohet se po kërkon një fushë me bar natyral për t’u stërvitur gjatë këtyre ditëve, përpara se të shkojnë në fazën përgatitore, axhenda e së cilës nuk është vulosur ende, por si opsione janë Maqedonia e Veriut dhe Sllovenia.
Mësohet se një nga opsionet e “Demave” është fusha e “Selman Stërmasit” e cila është rigjeneruar së fundmi nga FSHF-ja. Fusha e “Arenës së Demave” do të jetë një problem edhe përgjatë gjithë sezonit, jo vetëm në këtë periudhë para Europës.
Fushat stërvitore dalëngadalë po menjanohen si plan dhe ndoshta një zgjidhje e momentit do të ishte vendosja e një tjetër tapeti sintetik, por i standardit të përshtatshëm për të shmangur dëmtimet dhe për t’u stërvitur në kushte optimale.
PANORAMASPORT.AL













