“U ula dhe fola me presidentin e Partizanit”, Eneo Bitri: Milinkoviç? Demi nuk është…
Eneo Bitri është intervistuar nga moderatorja Trevisa Tufa në emisionin “Sport News” te News 24. Ish-kapiteni zbuloi se ishte pranë rikthimit te Partizani, pasi ishte ulur për të biseduar me presidenti Gazment Demi, megjithatë në fund kishte vendosur për të vijuar jashtë.

I pyetur nëse fati i Milinkoviç varet nga derbi, Bitri tha se presidenti Demi nuk i heq trajnerët nga një derbi. Parashikimi për të në derbi është fitorja e të kuqve 1 me 0.
Pikësëpari, vijon të lëvizësh pafund në merkato Bitri, pse kaq shumë lëvizje, ndryshuat sërish skuadër, por jo kampionat, si po shkon kjo aventurë e re?
Kam patur oferta gjatë verës që nuk më kanë bindur. Vendosa të rikthehem te ky kampionat, pasi e njoh mirë. Nuk më duhet kohë që të jem gati. Për momentin ndihem mbrapa me stërvitje, pasi kisha 3 muaj pa ekip. Shpresoj që çdo gjë të shkojë mirë dhe të vazhdoj përpara.
Bitri, kjo ishte një tjetër merkato, ku emri juaj i lakua në Superligë, kishte diçka të vërtetë? Çfarë ka që nuk shkon me Shqipërinë, pse nuk rikthehesh?
Kam patur 5-6 klube që kanë shprehur interesim, gjej rastin t’i falenderoj. Ndër to me Partizanin, jam ulur me presidentin dhe kam folur. Gjërave kam dëshirë t’u shkoj deri në fund. Vendosa që të jem këtu jo se nuk shkon diçka, por më shumë për të parë përpara për karrierën time.
Këtë të premte, luhet derbi i kryeqytetit, dy ekipe në krizë totale, të bën përshtypje një derbi në këto kushte?
Derbi është i jashtëzakonshëm, pasi ka interesim të madh. Mesa kam parë në media, interesimi nuk është si duhur. Derbi ka specifikën e veçantë, ndeshje me intensitet dhe përgjegjësi. Le të fitojë më i miri.
E prisje një Partizan të tillë në krizë, pas një periudhe që fituan miliona nga merkato, ku mendon se po gabojnë?
Partizani ka bërë merkato cilësore, secili do kohën e vet që të përshtatet. Tifozët e Partizanit dihet që nuk janë të lumtur vetëm me rezultatet e mira, por edhe me fitoren në derbi. Për ta derbi është i shenjtë. Nuk është konkluduar ende si ekip, u duhet kohë.
A mendon se ky derbi vendos fatin e trajnerit Milinkovic, vjen pas 3 humbjeve radhazi?
Presidenti Demi nuk është president që i heq trajnerët nga një derbi. Ai shikon vazhdimësinë.
A mund të ndryshojë ky derbi fatin e sezonit të dy ekipeve, apo tani është vonë, janë bërë gabime të mëdha, mendon se mund të rikthehet Partizani në garë për titull?
Derbi ka atë vrullin e madh. Kushdo që fiton derbi, ka moralin lart për ndeshjen tjetër. Gjithmonë kujtojmë një derbi që kemi bërë mirë. Derbi mund të jetë kthesa e duhur, si për Partizanin apo Tiranën.
Më jep një parashikim Bitri, si del ky derbi, shquhesh për parashikime.
Fiton Partizani 1-0.
PANORAMASPORT.AL













