Turi i forcës, Partizanin e presin 3 transferta radhazi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 27, 2025 | 22:56

Turi i forcës, Partizanin e presin 3 transferta radhazi

Partizani është ende “gjallë” dhe në garë për t’i fituar të dyja kompeticionet. Të kuqtë dje arritën të fitonin kundër Laçit në një ndeshje që u komplikua shumë, por cilësitë e Kekos dhe Kotes e zgjidhën me një kundërsulm në minutat e fundit.

Foto/ F. Hazisllari

Foto/ F. Hazisllari

Por, siç e tha vetë Abilaliaj, ky kualifikim është vetëm një ndeshje e kaluar me sukses. Të kuqtë duhet të konfirmojnë veten në tri transferta radhazi tashmë. Në ndeshjen e radhës, të kuqtë luajnë pas tri ditësh kundër Elbasanit në stadiumin “Elbasan Arena”.

Ky është edhe një duel direkt, pasi në rast disfate, verdheblutë do të afroheshin me 6 pikë me Partizanin e vendit të katërt dhe do të hapej gjithçka për këtë pozicion. Më datë 5 mars Partizani udhëton në Shkodër në një transfertë tejet të vështirë, me shkodranët, që po përjetojnë një nga momentet më të mira të sezonit. Transferta e tretë radhazi do të jetë ajo e Korçës, ku të kuqtë kanë hasur gjithnjë vështirësi.

PANORAMASPORT.AL