“Tre pikë në xhep”, Çinuendu sqaron festimin provokues. Sulmuesi i Besës kërkon falje, e quan keqkuptim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 7, 2026 | 13:13

“Tre pikë në xhep”, Çinuendu sqaron festimin provokues. Sulmuesi i Besës kërkon falje, e quan keqkuptim

Besa është rikthyer në zonën “play off” në Kategorinë e Parë, por kjo nuk ishte një fitore e zakonshme. Në Gjirokastër u pa një shou që kaloi kufijtë e futbollit. Kavajasit i dhanë fund serisë prej tre humbjesh radhazi duke mposhtur 3-2 Luftëtarin, në një ndeshje dramatike deri në sekondat e fundit. Gjithçka u komplikua për Besën kur Spahiu u ndëshkua me karton të kuq, duke i lënë miqtë me 10 lojtarë në një moment delikat.

Çinuendu besa

Kur dukej se sfida po rrëshqiste drejt një barazimi të tensionuar, në skenë doli sërish protagonisti i mbrëmjes, Godsuill Çinuendu. Në minutën e 90-të, sulmuesi shënoi golin e fitores, duke i dhënë Besës tri pikë të arta dhe njëkohësisht duke ndezur një tjetër “ndeshje”, atë të nervave. Festimi i tij ishte ai që i vuri “flakën” gjithçkaje. Para pankinës dhe tifozëve vendas, Çinuendu bëri një gjest të pahijshëm duke provokuar hapur, çka solli reagim të menjëhershëm. Lojtarët e Luftëtarit u hodhën drejt tij, ndërsa nga tribuna nisën të hidhen sende në fushë. Në mes të kaosit, trajneri i Besës, Magani, u godit në kokë nga një objekt teksa përpiqej të qetësonte situatën.

Tensioni arriti kulmin dhe ndeshja u ndërpre për disa minuta, në një atmosferë që kishte pak lidhje me futbollin. Arbitri nuk hezitoi, karton i kuq për Çinuendun për festimin e tij, duke e lënë Besën me 9 lojtarë në minutat e fundit. Megjithatë, mes rrëmujës dhe presionit maksimal, kavajasit arritën të mbrojnë avantazhin dhe të marrin një fitore sa të rëndësishme, aq edhe “të çmendur”. Me këtë sukses, Besa ngjitet në vendin e gjashtë me 34 pikë dhe rikthehet fuqishëm në garën për “play-off”.

“Sqarimi” që ndez më shumë debat

sqarimi i Çinuendu

Disa orë pas ndeshjes, protagonisti kryesor, Godsuill Çinuendu, reagoi për festimin që shkaktoi gjithë kaosin. 22-vjeçari nigerian kërkoi falje, por dha një shpjegim që më shumë ka ngritur vetulla sesa ka qetësuar situatën. Sipas tij, gjesti nuk kishte për qëllim ofendimin e askujt, por ishte një simbolikë për të treguar se Besa “po fuste në xhep” tre pikët. Problemi? Uniforma nuk ka xhepa…

“Dua t’u kërkoj falje tifozëve të Gjirokastrës për festimin tim. Qëllimi ishte të tregoja se po ‘fusnim në xhep’ 3 pikët, por për shkak se uniforma nuk ka xhepa, gjesti im mund të jetë keqkuptuar si ofendues ndaj tyre. Më vjen keq për këtë keqkuptim”, shkruan sulmuesi në postimin e tij në rrjetet sociale. Një version që tingëllon më shumë si një improvizim pas stuhisë sesa një shpjegim bindës, pasi pamjet dhe dinamika e festimit flasin vetë. Në fund, Besa mori tre pikët, por historia që mbeti nga kjo ndeshje ishte shumë më e madhe se rezultati.

PANORAMASPORT.AL