Tre ndeshje si finale, “tur force” për të kuqtë e Partizanit
Partizani është duke kaluar aktualisht ndoshta momentin më të mirë të këtij sezoni. Me fitoren e arritur në Vlorë ndaj Flamurtarit, të kuqtë shkojnë në kuotën e katër takimeve radhazi me fitore, duke përfshirë këtu edhe ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë ndaj Elbasanit.

Rezultate pozitive në kampionat kanë bërë që skuadra e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja të jetë pretendente serioze për zonën e “Final Four”, teksa aktualisht kryeqytetasit janë në vendin e pestë me 36 pikë, po aq sa edhe Dinamo e vendit të katërt. Ndeshjet e ardhshme do të rezultojnë vendimtare për Partizanin, duke qenë se tre ndeshjet e radhës mes kampionatit dhe Kupës i përballin 17-herë kampionët e Shqipërisë me skuadrat e kreut. Kështu, ndeshja e radhës për llogari të javës së 26-të i gjen të kuqtë në fushë kundër Egnatias. Partizani e luan këtë sfidë në shtëpi dhe do të mund të mbështetet te tifozët e pranishëm në “Arenën e Demave”, për të tentuar fitoren e parë të këtij sezoni ndaj Egnatias.
Ndërkohë, pas rrogozhinasve, kampionati i lë vendin Kupës dhe Partizani do të duhet të mbrojë avantazhin 1-0 të arritur në Elbasan. Të kuqtë janë me një këmbë në gjysmëfinale, por llogaritë nuk janë mbyllur, ndaj edhe në atë ndeshje duhet dhënë maksimumi, aq më tepër kur Kupa është një objektiv kryesor për Partizanin.
Ndërkohë, për të përmbyllur këtë fazë, të kuqtë do të përballen në mbyllje të fazës së tretë me Dinamon. Një sfidë kjo direkte për Partizanin, pasi është pikërisht Dinamo skuadra me të cilën të kuqtë rivalizojnë për vendin e katërt.
Një fitore në derbin e vogël të kryeqytetit do t’i jepte një avantazh të jashtëzakonshëm të kuqve për vendin e katërt. Në fakt, bilanci ndaj bluve nuk është pozitiv për Partizanin këtë sezon, me të kuqtë që janë mposhtur në të dyja sfidat. Megjithatë, çdo ndeshje ka historinë e saj dhe Partizani do të tentojë të marrë maksimumin nga të tre këto përballje, takime që mund t’i japin një drejtim sezonit të të kuqve dhe ta vendosin skuadrën në një pozitë të favorshme për fazën e katërt dhe finalet e Superiores dhe Kupës gjithashtu.
PANORAMASPORT.AL













