Tre ish-ët si protagonistë, lojtarët që njohin dy skuadrat mund të vendosin Bylis-Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2025 | 20:46

Tre ish-ët si protagonistë, lojtarët që njohin dy skuadrat mund të vendosin Bylis-Partizani

Bylis – Partizani është takimi i javës së pestë që pritet të nxjerrë nga kriza e rezultateve, njërën prej skuadrave. Ndeshja mes dy skuadrave pritet të sjellë disa “ish” futbollistë në fushë. Dhe nuk do të ishte çudi, nëse të tre e nisin nga minuta e parë.

da silva

Thuajse me siguri mund të thuhet se Marçelino Preka dhe Abubakar Kamara do të jenë nga fillimi në fushë. Preka është i vetmi nga futbollistët e Partizanit, që ka minuta të plota në këtë edicion. Milinkoviç nuk ka as luksin që të mos e ketë të gatshëm në fushë, pas largimit të Bytyçit me karton të kuq. Partizani e transferonte 22- vjeçarin në fundin e merkatos së verës së vitit 2022. Asokohe pagoi për kartonin e Prekës, që nga sezoni i kaluar po ia sheh frytet. Mbrojtësi shkodran është kapiteni i skuadrës dhe futbollisti që jep garanci në prapavijë.

Kamara është mbrojtësi i Bylisit, që Partizani e sillte në Shqipëri në shtatorin e vitit 2021. Asokohe afrohej bashkë me Maget dhe Sembene. Hapësirat për talentin e Nigerit, të lindur në Bregun e Fildishtë, munguan. Nga situate përfitoi Bylisi, që e bashkoi me skuadrën e tij në janarin e vitit 2022. Kamara ka bërë mjaft mirë, pasi me paraqitjet te Bylisi ka fituar ftesën e përfaqësueses së Nigerit për kualifikueset e Botërorit 2026. 23-vjeçari madje është aktivizuar si titullar në krahun e djathtë të mbrojtjes. Ndaj Partizanit pritet të jetë një prej problemeve më të mëdha në krah.

BRAZILIANI- Da Silva ka bërë mirë me Vllazninë, Partizanin dhe Bylisin në Shqipëri. Ballshiotët e rikthyen në Superiore përgjatë këtij viti, pikërisht në merkaton e dimrit. Lëvizja rezultoi e duhura, pasi kontributi ishte i çmuar në garën për mbijetesë. Në verë Da Silva doli lojtar i lirë me kujtimin e dy golave dhe tre asistimeve me Bylisin. Braziliani madje shënoi dhe asistoi kundër Partizanit, ndërsa Bylisi merrte fitoren me përmbysje të çmendur 2-3 në “Arena e Demave”. Sfidë vendimtare që solli më pas shkarkimin e Veselinoviç. 30-vjeçari padyshim që ka impakt në fushën e blertë dhe Partizani mund të përfitojë shumë prej tij në Ballsh. Nën urdhrat e Milinkoviç ka qenë qëkur ky i fundit u prezantua te “demat”. Dhe tashmë mund të jetë momenti i tij, që të ndihmojë Partizanin në ambientin që askush nuk e njeh më mirë se ai.

PANORAMASPORT.AL