Tre elbasanas si ish-ë, dëshira e Kasharit: Skuadrën e Gvozdenoviç e dua kampion dhe Vora të mbijetojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2026 | 22:52

Tre elbasanas si ish-ë, dëshira e Kasharit: Skuadrën e Gvozdenoviç e dua kampion dhe Vora të mbijetojë

Në futbollin profesionist nuk vendos vendlindja, por fanella që mbron. Pikërisht këtë realitet do ta përjetojnë këtë javë tre futbollistë elbasanas të Vorës, të cilët do të përballen me skuadrën e qytetit të tyre në një ndeshje vendimtare për mbijetesën.

Kashari

Portieri Shkëlzen Ruçi, mbrojtësi Dajan Shehi dhe mesfushori Klaus Kashari, të tre të lindur në Elbasan dhe me lidhje të fortë emocionale me skuadrën verdheblu, do të jenë këtë herë kundërshtarë të ekipit të zemrës. Profesionalizmi i vendos përballë ish-skuadrës së tyre në një moment kritik për Vorën, skuadër ku ata aktivizohen aktualisht dhe ku kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm gjatë këtij sezoni.

Të tre kanë qenë pjesë e rëndësishme e boshtit të skuadrës vorake në sezonin e parë në elitë. Përvoja e Ruçit në portë, siguria e Dajan Shehit në mbrojtje dhe energjia e 19-vjeçarit Klaus Kashari në mesfushë kanë qenë elementë kyç në luftën e Vorës për mbijetesë. Vora ndodhet në një moment vendimtar të sezonit. Skuadra është ende në luftë për të siguruar qëndrimin në elitë dhe ndeshja e së shtunës ndaj Elbasanit mund të rezultojë përcaktuese për fatin e saj.

Një fitore do t’i mbante gjallë shpresat e vorakëve për të mbijetuar në Superiore. Në këtë përballje, tre futbollistët elbasanas pritet të jenë titullarë dhe do të lënë mënjanë emocionet për skuadrën e qytetit të tyre, duke u fokusuar vetëm te objektivi i Vorës, mbijetesa.

KASHARI- Mesfushori Klaus Kashari, në një prononcim për “Panorama Sport”, shprehet i vendosur për të dhënë maksimumin për skuadrën ku aktivizohet, edhe pse përballë do të ketë ekipin e vendlindjes. “Skuadra e Vorës është ndërtuar për të qenë pjesë e elitës për një kohë të gjatë.

Jam shumë i lumtur që karrierën time me ekipin e parë po e ndërtoj këtu dhe dua të jap maksimumin për këtë fanellë. Edhe pse kam lindur në Elbasan, këtë herë dua që Vora të fitojë dhe të mbijetojë. Por njëkohësisht do të doja që Elbasani të shpallej kampion i Shqipërisë. Do të ishte kënaqësi e dyfishtë për mua”, u shpreh Kashari. Ky qëndrim tregon qartë dilemat emocionale që sjell futbolli profesionist, zemra mund të mbetet te qyteti i lindjes, por detyra është ndaj klubit ku luan.

ABDULLA DUSHKU – PANORAMASPORT.AL