Trajneri italian i keqardhur që nuk festoi me ekipin. Agostineli: Suksesi i Flamurtarit, edhe unë kam merita
Andrea Agostineli është padyshim një nga njerëzit që ka meritë të veçantë dhe të pamohueshme për ngjitjen e Flamurtarit në Kategorinë Superiore. Pavarësisht se e largoi trajnerin italian katër ndeshje nga fundi i kampionatit, edhe vetë administratori Sinan Idrizi “i jep Çezarit atë që i takon Çezarit”.

Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, trajneri Agostineli tregon emocionet që ka përjetuar nga rikthimi i Flamurtarit në elitën e futbollit shqiptar, por edhe mërzinë që nuk festoi dot triumfin për të cilin erdhi në Vlorë në verën e shkuar. Trajneri italian e ka një këshillë edhe për Flamurtarin e Superiores: “Të besojë në vetvete dhe të luajë gjithmonë për fanellën”. Agostineli pohoi se një rikthim në Shqipëri do ta priste me kënaqësi, pasi, siç thotë ai, ka lënë gjurmë në Shqipëri me Partizanin, si dhe ngjiti vlonjatët në Superiore.
Agostineli, Flamurtari u ngjit pas pesë vitesh në Kategorinë Superiore. Mendoni se keni edhe ju meritën tuaj?
Patjetër që po! Edhe unë kam meritën time dhe kjo më gëzon pa masë. E arrita atë që doja, për të cilën erdha që ditën e parë në Vlorë. Siç e dinë edhe tifozët vlonjatë, ne ishim vetëm kundër të gjithëve. Ju pata thënë në fillim se unë nuk erdha të bëja karrierë në Vlorë, pasi atë e kam shumë të pasur. Herën e fundit unë erdha në Shqipëri që të ngjisja Flamurtarin në elitën e futbollit shqiptar, ndryshe qendrorja në shtëpi. Asnjëherë nuk iu fsheha këtij objektivi.
A e ndoqët ndeshjen e javës së fundit me Vorën. Na tregoni pak si e pritët ngjitjen e skuadrës në elitë?
Flamurtarin e drejtova për një sezon të tërë dhe padyshim që e kam ndjekur. Fitoren me Vorën e kam pritur me një emocion shumë të madh.
Jeni i mërzitur që nuk patët mundësi të festonit me skuadrën?
Shumë i mërzitur! Doja që këtë sukses ta festoja me klubin, tifozët dhe qytetin e Vlorës.
Si ishte bilanci juaj te Flamurtari?
Për këtë gjë unë kam folur edhe herë tjetër për gazetën. Kisha një rezultat shumë pozitiv. Në 29 ndeshje, kam arritur 21 fitore, 5 barazime dhe vetëm tri humbje. Kishim 6 pikë më shumë se rivali poshtë nesh, që do të thotë se do të kalonim direkt në Superiore pa bërë ndeshje shtesë. Para ndeshjes me Pogradecin, kishim 12 fitore dhe vetëm 3 humbje. Në 4 ndeshjet e fundit arritëm 3 fitore dhe vetëm 1 barazim. Mesatarja ka qenë 2.34 pikë për çdo ndeshje. Ne kishim sulmin më të mirë. Në 9 ndeshje kemi shënuar më shumë se 3 gola për ndeshje. Lojtarët që i kam sjellë unë te Flamurtari: Ememe, Bolanos, Diavara dhe Oshafi, kanë arritur të shënojnë pjesën kryesore të golave. E gjitha kjo flet për një punë shumë të mirë nga të gjithë djemtë, por edhe nga stafi teknik.
Çfarë i këshilloni ekipit që të bëjë në Superiore?
Të besojë në vetvete dhe të luajë gjithmonë për fanellën.
Cilët lojtarë mendoni se duhet të qëndrojnë edhe në elitë?
Nuk më takon mua të gjykoj dhe të shprehem për këtë gjë.
Me çfarë po merreni aktualisht dhe a keni ndonjë ofertë për sezonin e ri?
Jam në Romë, pranë familjes sime. Nuk kam ndonjë ofertë konkrete.
Do ta pranonit një telefonatë nga Shqipëria?
Në Shqipëri? Pse jo! Në fund të fundit unë jam një trajner që kam “fituar” një kampionat me Partizanin dhe një me Flamurtarin që e ngjita në Superiore.
Bilanci i Agostinelit me Flamurtarin
Ndeshje 29
Pikët e fituara 68
Fitoret 21
Barazimet 5
Humbjet 3
Golavarazhi 59-18
Mesatarja e pikëve:
2.34 pikë për ndeshje
ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL













