Trajneri i ri pritet brenda 15 qershorit, ish-tekniku i Partizanit pranë rikthimit te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2025 | 23:36

Trajneri i ri pritet brenda 15 qershorit, ish-tekniku i Partizanit pranë rikthimit te Flamurtari

Flamurtari do ta ketë trajnerin i ri brenda 15 qershorit. Ky është afati që është vendosur nga bordi i klubi vlonjat, i cili po shqyrton kandidaturat. Së fundmi, një tjetër emër si kandidat i mundshëm po qarkullon në Vlorë. Pikërisht, bëhet fjalë për Shpëtim Duron, i cili mund të rikthehet te kuqezinjtë.Shpetim-Duro-Flamurtari-stervitje1-490x324“Panorama Sport” zbulon se trajneri 65-vjeçar me një karrierë të pasur në trajnim, si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, ka qarkulluar orët e fundit në klubin vlonjat si një nga kandidatët më potencialë për të marrë drejtimin e Flamurtarit në Superiore. Suhareka ka qenë skuadra e fundit që Duro ka drejtuar në sezonin 2024-2025, ndërsa më parë ka pasur eksperiencë edhe te Struga. Por CV-ja e Duros është nga më të pasurat dhe bordi drejtues i klubit po e shikon me seriozitet një rikthim të tij te kuqezinjtë. Ai ka drejtuar më parë Partizanin, Besën, Skënderbeun, Vllazninë, Kukësin, Laçin dhe Egnatian. Jashtë Shqipërisë, Shpëtim Duro ka pasur eksperienca të suksesshme edhe te Shkëndija e Tetovës, si dhe Drita e Gjilanit. Duro e ka drejtuar Flamurtarin në sezonin 2016-2017, teksa la gjurmë pozitive te kuqezinjtë. Pikërisht për shkak të kësaj pune pozitive që ka bërë me vlonjatët, drejtuesit e klubit janë duke parë edhe mundësinë e Shpëtim Duros në krye të pankinës vlonjate.

Por edhe vetë Duro duket se e mirëpret një rikthim të mundshëm në Vlorë. Burime pranë ish-trajnerit zbulojnë se Duro ka nostalgji për Vlorën dhe nuk do të refuzonte një ofertë për t’u rikthyer në qytetin bregdetar. Në Vlorë qarkullojnë shumë emra për trajnerin e ri, ku nuk mungojnë edhe të sponsorizuar nga persona të tretë. Qatip Osmani, Zoran Zekiç, Gentjan Mezani, Sefat Pajaziti, Kristin Broki dhe Masimo Odo janë emrat e përfolur në tavolinën e administratorit Sinan Idrizit, një pjesë e tyre vijnë si sugjerime. Së fundmi, bordi po shqyrton ndoshta edhe për një rikthim, siç është Shpëtim Duro.

SKUADRA – Flamurtari në “ajër”. Drejtuesit e klubit kanë nisur diskutimet me disa futbollistë, por firma mungon. Kjo për shkak se fillimisht duhet që të zgjidhet trajneri i ri. Pa emëruar trajnerin nuk do të ketë asnjë lëvizje. Madje, as për rinovimet. Pavarësisht se drejtuesit kanë disa lojtarë si prioritet, që duan t’i mbajnë nga grupi aktual, duhet të marrin edhe miratimin e trajnerit të ri. Skuadra do të grumbullohet në fillim të muajit korrik, ndërsa ndoshta java e ardhshme mund të nisin zyrtarisht edhe lëvizjet në Vlorë.

ERMAL SIKA- PANORAMASPORT.AL