Trajneri i ri, Partizani vendos për të ardhmen. Mund të ketë ndryshime edhe në kupolën drejtuese

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2025 | 20:44

Trajneri i ri, Partizani vendos për të ardhmen. Mund të ketë ndryshime edhe në kupolën drejtuese

Partizani që është tani me siguri nuk do të jetë i njëjti në verën e ardhshme. Ndoshta në media po përpiqen ta shohin gotën gjysmë plot, por te Partizani e dinë mirë se kjo skuadër ka nevojë për ndryshime dhe në merkaton e ardhshme pritet të ketë lëvizje në të gjitha repartet, si në largime, ashtu edhe në afrime.

sf

TRAJNERI – Gjithçka pritet të nisë nga stoli. Aktualisht, Partizani drejtohet nga drejtori sportiv Arbër Abilaliaj, i cili është detyruar të bëjë sërish trajnerin pas shkarkimit të Aleksandar Veselinoviç. Pas mbylljes së sezonit, klubi pritet të emërojë një trajner të ri dhe për këtë ka nisur të hulumtojë që tani.

Në klub janë mjaft skeptikë për tregun e trajnerëve shqiptarë, por nuk e kanë eliminuar këtë pistë. Para Veselinoviç ka thashetheme se klubi ishte pranë rikthimit të Skënder Gegës, çka mund të jetë një pistë tani. Sakaq, trajnerët e huaj mbeten të preferuar në klub, por tani kanë zënë mend se nëse vjen dikush nga jashtë, duhet të jenë në nivele të ngjashme me Zekiç, që bënte diferencën.

MENAXHIMI – Te Partizani gjithnjë kemi parë presidentin Gazment Demi të jetë në krye të gjithçkaje, por të mos përzihet në merkato apo në çështjet teknike të lojtarëve. Kohët e fundit ka zëra se mund të ketë ndryshime në drejtimin teknik të klubit dhe se merkatoja mund të kalojë në duar të tjera.

Mbetet për t’u parë në ditët në vijim, kur edhe pritet të dalin emra konkretë. Me konkretizimin e këtyre lëvizjeve, pritet të vendoset edhe për trajnerin e ri.

PANORAMASPORT.AL