Toma dhe Kontreras, “bomberat” e Partizanit në pjesën e parë të sezonit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2026 | 10:46

Toma dhe Kontreras, “bomberat” e Partizanit në pjesën e parë të sezonit

Me emërimin e trajnerit Oltijon Kërnaja në krye të skuadrës së Partizanit, të kuqtë ia dolën të reagonin pas një starti të kampionatit të mbushur me dritëhije. Tekniku 37-vjeçar, lëvizi mekanizmat e duhur në ekipin e “Demave të Kuq”, duke rikthyer besimin si dhe rezultatet pozitive.kontrerasNë këtë ringritje të ekipit, patën meritë edhe dy lojtarë që para mbërritjes së Kërnajës, nuk ishin shfaqur aq rezultativë. Fjala është për Rrok Tomën dhe Diego Kontreras. I pari nuk ishte pjesë e skuadrës së Partizanit në dy ndeshjet e para të sezonit ndaj Vorës dhe Teutës, ndërsa nisi më pas të marrë minuta nga trajneri Mlladen Milenkoviç në ndeshjet pasuese ndaj Vllaznisë, Elbasanit, Bylisit dhe në derbi ndaj Tiranës, por gjithnjë duke ardhur nga stoli.

Megjithatë, “shpërthimi” i vërtetë i 21-vjeçarit do të vinte nën “urdhrat” e trajnerit Kërnaja teksa Toma gjeti rrugën e rrjetës ndaj Teutës në transfertë, madje duke shënuar golin e fitores në ndeshjen që përfundoi në favor të të kuqve me shifrat 2-3, e po ashtu realizoi gol në sfidën pasardhëse me Vllazninë të mbyllur me shifrat 1-1. Ndërsa, Toma gjeti rrugën e rrjetës edhe në ndeshjen e humbur ndaj Dinamos me rezultatin 1-3 duke i dhuruar avantazhin e përkohshëm Partizanit.

Nga ana tjetër, një zbulim tërësisht në pronësinë e teknikut Kërnaja mund të cilësohet ai i Diego Kontreras. Kërnaja, e kishte stërvitur më parë 22-vjeçarin në skuadrën B të kryeqytetasve, megjithatë guxoi edhe ta aktivizojë në elitën e futbollit shqiptar. Kolumbiani e justifikoi prezencën e tij duke shënuar një dygolësh në fitoren 2-3 të Partizanit ndaj Teutës, me sulmuesin që nga ekzaltimi i tepërt u ndëshkua edhe me kartonin e kuq, pas dy kartonëve të verdhë.

Megjithatë, pas penalizimit, Kontreras u rikthye në fushë dhe gjeti sërish golin duke i dhuruar tre pikë Partizanit në fitoren 1-0 ndaj Bylis. Te Partizani, shpresojnë që dyshja të vijojë këtë formë edhe për gjysmën e dytë finale të kampionatit dhe të udhëheqë skuadrën në repartin e avancuar aty ku bëjnë pjesë edhe emra me peshë si Xhuljano Skuka, Albers Keko apo Isgandarli.

PANORAMASPORT.AL