Tirana nuk i dha shansin për të debutuar, ish-portieri i Apolonisë drejt kampionëve të Kategorisë së Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2025 | 17:32

Tirana nuk i dha shansin për të debutuar, ish-portieri i Apolonisë drejt kampionëve të Kategorisë së Parë

Sezoni 2024-2025 ka qenë për t’u harruar për portierin Romeo Harizaj. Në merkaton e verës, “gardiani” ballshiot kaloi nga Apolonia te Tirana, me shpresën se po hidhte një hap të madh në karrierën e tij. Realiteti rezultoi komplet ndryshe për 26-vjeçarin, pasi Harizaj as që arriti që të debutonte me bardheblutë përgjatë gjithë sezonit futbollistik.

Romeo Harizaj, portieri i Apolonisë

Edhe pse është nën kontratë me Tiranën, Harizaj prej kohësh ka dalë i tepërt te bardheblutë dhe i është dhënë e drejta nga kryeqytetasit për të gjetur një klub të ri. Edhe pse nuk luajti asnjë minutë me bardheblutë, portieri Harizaj pritet të mbetet në Kategorinë Superiore. Zërat e merkatos e dërgojnë portierin te kampionët e Kategorisë së Parë, Vora, që për herë të parë në historinë e saj do të luajë në elitën e futbollit shqiptar. Flitet se palët i kanë nisur bisedimet dhe parashikohet të jetë pjesë e Vorës me fillimin e përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik. Me këtë lëvizje mbetet për të parë se cila do të jetë e ardhmja e portierit “veteran” të Vorës, Shkëlzen Ruçi, i cili në dy sezonet e fundit ka qenë titullar i padiskutueshëm te vorakët.

Portier Harizaj në shkuarën ka luajtur me të rinjtë e Shkëndijës së Tiranës dhe Bylisit, për të vijuar më pas tek Apolonia në disa raste, Albpetroli, Dinamo dhe në fund u bë pjesë e Tiranës ku nuk luajti asnjë minutë. Harizaj, gjatë karrierës së tij, ka treguar cilësi si portier, por duket se konkurrenca te Tirana ka qenë shumë e madhe, ku nuk iu dha mundësi as që të debutonte për një sezon të tërë. Vora shikohet si një mundësi “e artë” për Romeo Harizajn për të rilindur dhe pse jo për të bëra hapa më të mëdhenj në karrierën e tij, pasi bëhet fjalë për një portier 26-vjeçar. Për momentin Vora ka nisur pushimet dhe nga mesi i qershorit pritet që të mësohen edhe “lëvizjet” e para në kampin vorak.

PANORAMASPORT.AL