Tirana, në mesjavë mbledhje për sezonin e ri. Drejtuesit lënë vetëm disa ditë pushim ekipin
Tirana ka marrë pushimet deri të mërkurën, por jo drejtuesit e klubit.

Te 26 herë kampionët, të cilët shpëtuan me një autogol në minutën e 90-të, gjatë sfidës “play out” me Pogradecin, si fillim, është vendosur që të bëhen disa ditë pushim. Më pas, skuadra do të jetë sërish nën regjim stërvitor, me shumë mundësi deri në fund të muajit maj. Ky vendim është marrë, pasi pushimi i kampionatit është i gjatë dhe sipas trajnerëve, skuadra duhet të qëndrojë në tonus. Një pikë tjetër e diskutuar këto ditë në ambientet bardheblu, do të jetë një takim që pritet të bëhet gjatë kësaj jave për të ardhmen e trajnerit si dhe të lojtarëve, ose më saktë riformatimin e ekipit.
SHKËMBI – Pika e parë e diskutimeve në mesin e javës mbetet e ardhmja e Bledi Shkëmbit. Presidenti Refik Halili duhet të vendosë nëse do të mbajë korçarin apo jo në ekipin bardheblu. Shkëmbi ka edhe një vit kontratë, ndonëse mund të ndodhë që palët të ndajnë rrugët. Për t’u parë mbetet si do të zgjidhet kjo situatë te Tirana. Fakt është se Refik Halili brenda dy sezonesh ka ndryshuar 6 herë stolin, duke sjellë pesë emra të rinj.
LOJTARËT – Mbledhja e mesjavës do të sqarojë edhe një situatë tjetër: atë të lojtarëve. Presidenti, drejtori dhe trajneri do të vlerësojnë se cilët futbollistë do të qëndrojnë dhe cilët do të largohen nga grupi aktual. Edhe pse presidenti Refik Halili ka deklaruar se do të mbajë gjithë grupin, gjasat janë që skuadra do të ndryshojë shumë në të ardhmen. Do të ketë largime pa kthim, si spastrime. Për t’u parë janë edhe emrat që janë në tavolinën e bisedimeve. Disa nga lojtarët do ta mbyllin me marrëveshje bashkëpunimin me KF Tiranën. Të tjerë do të largohen prej klubit, ndërsa janë edhe futbollistët që do të shiten. Drejtuesit duan të mbajnë boshtin e skuadrës, ndërsa pjesës tjetër do t’i ofrohet një largim me marrëveshje apo zgjidhje alternative.
AFRIMET – Një tjetër histori është ajo e afrimeve. Bardheblutë duhet të vendosin nëse do të mbahen me lojtarët e huaj, siç bënë këtë sezon, apo do të zgjedhin nga kampionati shqiptar. Fakt është se të huajt e këtij sezoni dështuan me sukses edhe te Tirana, fakt i cili duhet të vlerësohet me një analizë të qartë.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













