Naftëtari vë në shënjestër mesfushorin që ka luajtur edhe me Kukësin, afrikani pranë rikthimit në Shqipëri
Naftëtari ka nisur lëvizjet për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, teksa drejtuesit po punojnë për të përforcuar grupin në prag të 100-vjetorit të themelimit të klubit. Edhe pse ende priten zhvillime lidhur me organizimin e ri dhe stafin teknik, merkatoja e verës mbetet një nga prioritetet kryesore të kuçovarëve.

Sipas informacioneve që vijnë nga ambienti i klubit, një nga emrat që po ndiqet me interes është ai i mesfushorit afrikan Vahab Laval. Futbollisti njihet mirë në futbollin shqiptar falë eksperiencave të mëparshme me Tomorin, Valbonën dhe Kukësin, ku ka spikatur për cilësitë e tij në repartin e mesfushës. Për interesimin e Naftëtarit ka folur edhe kapiteni Enea Kajo, i cili ka zbuluar se disa lojtarë me eksperiencë kanë shprehur dëshirën për t’u bërë pjesë e projektit të ri të skuadrës.

Sipas tij, Laval përfaqëson profilin e futbollistit që mund t’i japë më shumë cilësi ekipit dhe të ndihmojë në realizimin e objektivave të sezonit të ardhshëm. Ndërkohë, një pjesë e futbollistëve të Naftëtarit po vijojnë stërvitjen individuale në pritje të nisjes së fazës përgatitore. Klubi pritet të zyrtarizojë në ditët në vijim stafin e ri teknik dhe hapat e parë të projektit që synon ta rikthejë Naftëtarin sa më konkurrues në kampionatin e ri.
EDI SPAHIU- PANORAMASPORT.AL













