Bylisi i sezonit të ri në Kategorinë e Parë, prioritet ruajtja e talenteve dhe infrastruktura

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2026 | 11:25

Bylisi i sezonit të ri në Kategorinë e Parë, prioritet ruajtja e talenteve dhe infrastruktura

Te Bylisi mbizotëron ende qetësia në këtë periudhë të merkatos, ku deri tani i vetmi largim i konfirmuar është ai i mesfushorit Robert Muriç. Pjesa tjetër e grupit mbetet nën kontratë, ndërsa mallakastriotët po përgatiten gradualisht për nisjen e sezonit të ri.

bylis

Presidenti Besnik Kapllanaj ka kërkuar që fillimisht vëmendja të përqendrohet te infrastruktura. Në stadium dhe në anekset stërvitore kanë nisur ndërhyrje për mirëmbajtje dhe rikonstruksion, me synimin që skuadra të ketë kushte sa më të mira për stërvitje dhe ndeshje gjatë kampionatit të ardhshëm. Ndërkohë, në Ballsh janë në pritje të ofertave për futbollistët më të spikatur të ekipit. Shumë prej lojtarëve të Bylisit kanë tërhequr vëmendjen e klubeve brenda dhe jashtë vendit, por drejtuesit nuk duan të nxitojnë me vendimet. Përveç aspektit financiar, presidenti Kapllanaj po mendon edhe për zhvillimin e karrierës së futbollistëve të rinj, shumica e të cilëve janë mes 19 dhe 24 vjeç.

Sa i përket merkatos hyrëse, Bylisi pritet të afrojë elementë cilësorë nga kampionati shqiptar dhe rajoni, lojtarë që mund të bëjnë diferencën dhe të jenë pjesë e projektit afatgjatë të klubit. Synimi mbetet i qartë: rikthimi dhe konsolidimi në elitën e futbollit shqiptar. Me rivalët që po lëvizin fuqishëm në merkato, pritet që Kategoria e Parë e sezonit të ardhshëm të jetë ndër më konkurrueset e viteve të fundit, me disa skuadra në garë për ngjitjen në Superiore.

ERJON SALIU- PANORAMASPORT.AL