ATLETIKË/ Gara e pazakontë 150 metra, Noah Lyles thyen rekordin botëror
Noah Lyles më në fund ka një rekord botëror, edhe pse jo atë që synon prej vitesh me ngulm, rekordin e 200 metrave. Kampioni olimpik në fuqi i 100 metrave dhe sprinteri më i mirë i pesë viteve të fundit fitoi garën e pazakontë të 150 metrave në mitingun “Golden Spike” të Ostravës, duke ndalur kronometrin në 14.67 sekonda me erë neutrale.
Përballja mes amerikanit dhe talentit australian Gout Gout ishte një nga momentet kulmore të mitingut çek, i cili, megjithëse nuk bën pjesë në “Diamond League”, ruan çdo vit një nivel jashtëzakonisht të lartë. Dikur kjo garë ishte një ndalesë e rregullt edhe për legjendën Usain Bolt. Duke startuar nga mesi i kthesës, Lyles nuk ishte i pari në hyrje të drejtëzës finale, por demonstroi edhe një herë aftësinë e tij të jashtëzakonshme për përshpejtim. Ai kaloi në metrat e fundit afrikanojugorin Sinesipho Dambile, i cili u rendit i dyti me 14.78 sekonda.
Të dy atletët përmirësuan rekordin e mëparshëm botëror prej 14.92 sekondash, të vendosur këtë vit nga xhamajkani Kishane Thompson në “Miramar Invitational” të Floridës. Shumë pranë rekordit mbeti edhe Gout Gout, i treti me kohën 14.96 sekonda. Fenomeni australian, vetëm 18 vjeç, pas garës përshëndeti ngrohtësisht Lyles në vijën e finishit, duke treguar progres të dukshëm krahasuar me debutimin e tij jo shumë bindës në “Diamond League” më 10 qershor.
Në Oslo ai kishte përfunduar i gjashti në 200 metra me kohën 20.60 sekonda, shumë larg fituesit, botsuanezit Letsile Tebogo. Edhe në Ostrava, Gout Gout pati një start të dobët, por reagoi fuqishëm në 50 metrat e fundit, duke rikuperuar pozicione dhe siguruar vendin e tretë. Vlen të theksohet se Usain Bolt ka regjistruar një kohë edhe më të shpejtë në këtë distancë, 14.35 sekonda, gjatë një gare në pistë të drejtë në Mançester në vitin 2009. Megjithatë, ajo performancë nuk njihet si rekord botëror zyrtar, pasi nuk u realizua në një pistë standarde me kthesë.
REZISTON REKORDI HISTORIK Megjithatë, gara më e pritur e mbrëmjes ishin 800 metrat për femra, ku zvicerania Audrey Werro synonte të rrëzonte rekordin legjendar botëror të Jarmila Kratochvilovas. Ish-atletja çekosllovake kishte regjistruar kohën 1:53.28 më 26 korrik 1983 në Mynih, rekord që mbetet ende më i vjetri në atletikën botërore. Werro ndoqi ritmin e vendosur nga çekja Nikola Bisova, e cila kaloi 400 metrat e para në 55.83 sekonda, sipas planit të paracaktuar. Më pas, zvicerania mori kryesimin e garës, e shoqëruar vetëm nga holandezja Femke Bol, specialiste e 400 metrave me pengesa, e cila këtë sezon po teston veten edhe në distancën e dyfishtë.
Bol arriti të ndiqte ritmin e lartë të Ëerros deri në hyrje të kthesës së fundit. Më pas, atletja zvicerane nisi të shkëputej gradualisht, duke mbetur e vetme përballë sfidës së saj historike. Në tribunë, vetë Kratochvilova ndiqte me emocion zhvillimin e garës. Në fund, Werro triumfoi me kohën 1:54.45, rezultati i dytë më i mirë i karrierës së saj. Edhe pse nuk arriti rekordin botëror, ajo konfirmoi formën e shkëlqyer të treguar më 7 qershor në Stokholm, kur regjistroi 1:53.98 dhe mposhti kampionen britanike Keely Hodgkinson, duke u bërë gruaja e tretë në histori që zbret nën kufirin e 1 minutë e 54 sekondave. Femke Bol, në garën e parë të 800 metrave në pistë të hapur në karrierën e saj, përfundoi e dyta me një kohë shumë të respektueshme prej 1:57.13.
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













