Besëlidhja rezultoi kapitulli i fundit, futbollisti shkodran i jep fund karrierës në moshën 33-vjeçare
Një lajm i papritur ka ardhur nga kampi i Besëlidhjes. Arsid Kruja, një nga futbollistët më të njohur dhe me më shumë eksperiencë në futbollin shqiptar, ka vendosur t’i japë fund karrierës si lojtar aktiv. Lajmi është bërë publik nga klubi lezhjan, ku 33-vjeçari luajti sezonin e fundit të karrierës së tij.

“Arsid Kruja e mbyll me futbollin e luajtur. Sezonin e fundit futbollistik në karrierë e zhvilloi me skuadrën tonë të Besëlidhjes, duke lënë pas një rrugëtim të gjatë në futbollin shqiptar. Faleminderit Arsid Kruja”, shkruhet në reagimin e klubit. Vendimi i mesfushorit ka surprizuar edhe trajnerin Elvis Plori, i cili e konsideronte Krujën një nga pikat kyçe të skuadrës edhe për sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë. Megjithatë, futbollisti i ka komunikuar personalisht vendimin e tij për t’u tërhequr nga futbolli.
Prej disa kohësh, Kruja është vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku pritet të vazhdojë jetën dhe angazhimet e tij jashtë fushës së blertë. Pjesën më të rëndësishme të karrierës së tij ai e kaloi te Vllaznia, me të cilën regjistroi mbi 200 ndeshje në kampionat. Gjatë viteve, Kruja ka veshur gjithashtu fanellat e Flamurtarit, Laçit, Teutës dhe së fundmi Besëlidhjes, skuadër me të cilën mbylli zyrtarisht karrierën e tij futbollistike.
PANORAMASPORT.AL













