I shkaktoi probleme Ekuadorit, Gjermania duhet të ruhet nga… Diomande

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2026 | 15:46

I shkaktoi probleme Ekuadorit, Gjermania duhet të ruhet nga… Diomande

Është përballja mes vendit të parë dhe të dytë në Grupin E të Kupës së Botës, teksa Gjermania dhe Bregu i Fildishtë do të ndeshen të shtunën në mbrëmje në Toronto të Kanadasë, me fillim nga ora 22:00.

diomande

Pas fitores së thellë 7-1 ndaj Curaçaos në ndeshjen hapëse, skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsman tani përballet me një test shumë më të vështirë kundër Bregut të Fildishtë, i cili vjen pas një fitoreje të luftuar 1-0 ndaj Ekuadorit.

Një nga lojtarët që Gjermania do të duhet ta mbajë nën vëzhgim të veçantë është ylli i Lajpcig dhe fituesi i çmimit “Lojtari i Ri i Sezonit” në Bundesliga, Jan Diomande, i cili shkaktoi shumë probleme për mbrojtjen e Ekuadorit.

“Një vit më parë pothuajse askush nuk e njihte. Ai ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm, edhe pse Lajpcig pati disa probleme,” tha kapiteni i Gjermanisë, Xhoshua Kimish.

“Driblimi i tij është i jashtëzakonshëm, paksa si ai i Kingslej Koman te Bajerni dikur. Ka shpejtësi të pabesueshme. Por ka edhe lojtarë të tjerë cilësorë për të cilët duhet të përgatitemi. Ata kanë futbollistë spektakolarë në sulm,” shtoi ai.

Të dyja kombëtaret fillimisht ishin planifikuar të përballeshin në një ndeshje miqësore para turneut, por takimi u anulua pasi u shortuan në të njëjtin grup të Kupës së Botës. Ato janë përballur vetëm një herë më parë, në vitin 2009, kur ndeshja përfundoi 2-2 dhe Lukas Podolski shënoi golin e barazimit në minutat e fundit për Gjermaninë. Trajneri i Gjermanisë, Nagelsman, nuk pritet të bëj shumë ndryshime pas fitores bindëse në ndeshjen e parë. I vetmi ndryshim i mundshëm është aktivizimi i Deniz Undav në vend të Leroi Sane. Sane ishte ndër lojtarët më pak bindës kundër Curaçaos, ndërsa Undav pati një ndikim të madh pasi hyri nga stoli, duke shënuar një gol dhe duke dhënë dy asistime. Nëse Nagelsman vendos për këtë ndryshim, Undav do të luante në qendër të sulmit, ndërsa Kai Havertz do të tërhiqej në një rol më të thellë.

Megjithatë, pavarësisht formës së mirë të sulmuesit të Shtutgartit, Sane mbetet ende më i favorizuar për të nisur ndeshjen si titullar. Nga ana tjetër, te Bregu i Fildishtë, Evan Ndiçka mbetet në dyshim për shkak të një dëmtimi në kofshë, i cili e la jashtë ndeshjes hapëse ndaj Ekuadorit. Ndërkohë, Amad Diallo mund të fitoj një vend në formacionin titullar pasi zëvendësoi Bazoumana Touré në pjesën e dytë të ndeshjes së parë dhe shënoi golin e fitores për ekipin e tij.

KLAJDI BAJO-PANORAMASPORT.AL