Tirana, 12 “mëkate” në 32 javë. Skuadra ka treguar mungesë karakteri dhe force, por mbi të gjitha jo zgjuarsi
Tirana që sot është fokusuar te derbi me Partizanin, por drama e Elbasanit është një plagë që nuk shuhet kollaj. Një skuadër që shënon gol e para dhe më pas përmbyset ose barazohet në minutën e fundit, etiketohen bardheblutë.
Janë 12 takime që Tirana, ndonëse ka qenë në avantazh një pjesë apo gjatë pothuajse gjithë takimit, në fund është dorëzuar apo e kanë barazuar. Ka ndeshje nga ato më të çuditshmet kur bardheblutë kanë parë që t’u iknin pikët në minutat shtesë të lojës.
PËRMBYSJET – Bardheblutë do të kishin 15 pikë më shumë, nëse nuk do të ishin përmbysur nga kundërshtari dhe do të kishin eliminuar Bylisin nga Kupa e Shqipërisë. Historitë me shkatërrimin e ndeshjes nisin që në Laçi-Tirana 3-1, ku skuadra ishte në avantazh, por përmbyset pjesën e dytë. E njëjta histori në Vllaznia-Tirana 2-1. Në avantazh gjatë pjesës së parë përmbyset në pjesën e dytë nga shkodranët. Më pas vjen dueli i Kupës, Tirana-Bylis 1-2 dhe eliminimi. Skuadra e Maganit ishte në avantazh, por dorëzohet në pjesën e dytë. E njëjta histori edhe në Teuta-Tirana 2-1. Në avantazh gjatë pjesës së parë, përmbyset në pjesën e dytë. Klasikja është sfida Tirana-Dinamo 1-4. Po luante mirë dhe ishte në avantazh, por pëson 4 gola dhe shkërmoqet. Sigurisht, ndeshja e fundit, ajo Elbasani-Tirana, 2-1 e para dy ditëve. Bardheblutë kanë humbur 15 pikë vetëm nga përmbysjet. Sikur tri takime të mos kishin gabuar, sot do të ishin për “Final 4”.
BARAZIMET – Për sa u përket ndeshjeve të barazuara dhe ku Tirana ka qenë në avantazh, numërohen gjashtë. Në tri raste është barazuar në minutën e 90-të e në vazhdim. Bëhet fjalë për sfidën me Bylisin në fazën e parë, me Laçin në Korçë në minutën e 96-të, si dhe në derbin e fazës së tretë ku pësoi gol në minutën e 90-të. Më pas janë VllazniaTirana 2–2, dy herë Tirana-Elbasani 1-1, ku bardheblutë kanë qenë në avantazh dhe janë barazuar. Kryeqytetasit sot, nëse do të kishin rezultuar, do të numëronin të paktën 21 pikë më shumë dhe një çerekfinale Kupe të Shqipërisë në xhep, por të humbur nga dobësia që kanë treguar. Kulmi është se bardheblutë shënojnë të parët, janë në avantazh një pjesë dhe më pas ose arrihen apo përmbysen nga kundërshtarët.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













