Teuta kërkon kthesën ndaj Vllaznisë, besim për rikthimin te suksesi
Pas ndalesës së fundit ndaj Vorës, në kampin e Teutës është vendosur të lihet gjithçka pas dhe të fokusohet energjia te sfida e radhës, ajo ndaj Vllaznisë. Një përballje që vjen në një moment delikat të sezonit dhe që për “djemtë e detit” shihet si mundësia ideale për të rikthyer besimin dhe për të marrë një rezultat pozitiv me peshë.

Skuadra durrsake ka nisur menjëherë përgatitjet, duke zhvilluar një cikël të plotë stërvitor prej disa ditësh, ku theksi është vendosur si te rikuperimi fizik, ashtu edhe te përgatitja taktike. Stafi teknik ka punuar në detaje me grupin, duke analizuar gabimet e ndeshjes së fundit dhe duke kërkuar përmirësime konkrete në të dyja fazat e lojës. Ajo që bie në sy gjatë këtyre ditëve është angazhimi maksimal i futbollistëve dhe një atmosferë pozitive brenda skuadrës, elementë që japin sinjale të mira përpara këtij dueli të rëndësishëm.
GRUPI – Një lajm inkurajues për Teutën është fakti se grupi është pothuajse i plotë dhe pa mungesa të rëndësishme. Kjo i jep mundësi trajnerit Dobi të ketë më shumë alternativa në dispozicion dhe të zgjedhë formacionin më të përshtatshëm për të përballuar një kundërshtar cilësor si Vllaznia. Konkurrenca brenda ekipit është rritur dhe çdo lojtar synon të fitojë një vend në formacion, çka pritet të ndikojë pozitivisht edhe në intensitetin e lojës. Gjatë seancave stërvitore, vëmendje e veçantë i është kushtuar organizimit të mbrojtjes, pasi ekipi synon të shmangë gabimet që kanë kushtuar në ndeshjet e fundit.
Njëkohësisht, punohet edhe në ndërtimin e aksioneve sulmuese dhe në rritjen e efikasitetit para portës, një aspekt që mund të rezultojë vendimtar në një sfidë të ekuilibruar si kjo ndaj Vllaznisë. Në aspektin psikologjik, Teuta hyn në këtë përballje me një avantazh moral, duke kujtuar fitoren 0-1 të arritur në fazën e dytë në transfertën e Shkodrës. Ajo ndeshje tregoi se skuadra ka potencialin për të marrë rezultate pozitive ndaj këtij kundërshtari dhe shërben si një pikë referimi për mënyrën se si duhet të menaxhohet edhe kjo sfidë. Megjithatë, në kampin durrsak mbetet e qartë se çdo ndeshje ka historinë e vet dhe se Vllaznia është një skuadër me cilësi dhe eksperiencë, e aftë për të vënë në vështirësi çdo kundërshtar. Pikërisht për këtë arsye, përqendrimi maksimal dhe disiplinimi taktik do të jenë çelësi për të arritur objektivin.
Për Teutën, kjo ndeshje përfaqëson më shumë sesa thjesht tri pikë. Është një mundësi për të dhënë një sinjal të fortë në kampionat, për të rikthyer vazhdimësinë e rezultateve dhe për të forcuar pozitat në renditje. Nëse arrin të shfrytëzojë momentin dhe të tregojë karakter në fushë, skuadra durrsake ka të gjitha mundësitë për të dalë me sukses nga kjo përballje dhe për të vijuar rrugëtimin me më shumë besim.
ZAMIR QYPI-PANORAMASPORT.AL













