Tetova ruan skemën 4-3-3, Egnatia gati për sfidën e fundjavës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 3, 2025 | 22:37

Tetova ruan skemën 4-3-3, Egnatia gati për sfidën e fundjavës

Pas tre fitoreve radhazi, Egnatia vjen më e motivuar se kurrë për të synuar “pokerin” në kampionat dhe për të luajtur shanset për vendin e parë, gjithnjë nëse ndeshja mes Vllaznisë dhe Elbasanit përfundon pa fitues. Gjithsesi, së pari duhet të mundë Vorën këtë fundjavë dhe më pas të mendojë për atë se çfarë ndodh mes dy rivalëve të saj për vendin e parë.

egnatia

Morali është i lartë pas paraqitjeve të fundit dhe në kampin rrogozhinas nuk paraqiten probleme në dënime apo dëmtime, duke e bërë grupin të jetë plotësisht i përqendruar për këtë sfidë të rëndësishme. Pritet që bardhëjeshilët ta shfrytëzojnë në maksimum momentin pozitiv që po kalojnë.

FORMACIONI STABËL – Pritet që tekniku Edlir Tetova të mos ndryshojë shumë formacionin e fituesve të këtyre javëve të fundit dhe të aplikojë sërish skemën 4-3-3. Në portë do të jetë Dajsinani, ndërsa në krahët e mbrojtjes do të luajnë Ndreca dhe Fangaj, me Xhemajlin dhe Sotën në qendër. Mesfusha do të përbëhet nga Aleksi, Fernando dhe Ruçi, ndërsa në ndihmë të sulmit do të jenë Albanese dhe Selmani, që do të mbështesin Buriçin në majën e ofensivës. Duket se këta titullarë japin qetësi dhe ekuilibër në skuadër, për aq kohë sa skuadra ia ka dalë që të marrë rezultatet që kërkohen. Përveç kësaj, eksperienca e disa prej lojtarëve ka bërë që skuadra të menaxhojë më mirë momentet kritike gjatë ndeshjeve.

KUNDËRSHTAR I PANJOHUR – Vora paraqitet si një kundërshtar relativisht i panjohur për Egnatian. Ndryshe nga skuadrat e tjera me të cilat kampionët rrogozhinas janë përballur, me Vorën historia ka qenë e kufizuar, sidomos në vitet e fundit, kur ekipet kanë luajtur në kategori të ndryshme. Një takim i vetëm i regjistruar është ai i vitit 2017 në Kupën e Shqipërisë, ku Egnatia fitoi 3-1 në Rrogozhinë.

Tani, kampionët do të kërkojnë jo vetëm fitoren e parë përballë këtij kundërshtari në kampionat, por edhe një tjetër hap të sigurt drejt konsolidimit të pozicionit në Superiore. Me qetësinë e lojtarëve dhe formacionin e stabilizuar, rrogozhinasit duket se janë gati për të vazhduar ecurinë pozitive dhe për të treguar se janë një nga ekipet më të forta të këtij sezoni. Ky takim ofron edhe mundësinë për të testuar disa manovra taktike dhe për të provuar strategji të reja, të cilat mund të jenë vendimtare për sfidat e ardhshme.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL