Testi ndaj kryeqytetasve, stadiumi i Superiores drejt rikonstruksionit
Ballshiotët kanë shfrytëzuar ndërprerjen e kampionatit dhe dje Bylisi B, ku aktivizohen edhe disa lojtarë të skuadrës së parë, zhvilloi një ndeshje test me ekipin e Kategorisë së Dytë, Eagles. Takimi u luajt në fushën me bar sintetik të Plugut, ku stërvitet dhe luan edhe Lushnja, në bazë të marrëveshjes mes klubeve. Pjesa e parë përfundoi 1-1, me golin e mallakastriotëve të realizuar nga Amponsah, që kaloi të parët në avantazh.

Në pjesën e dytë, të dy ekipet aktivizuan të gjithë lojtarët e gatshëm, ndërsa trajnerët respektivë fokusoheshin më shumë tek ruajtja e djemve në këtë periudhë pauze. Eagale, që për herë të parë luan në Kategorinë e Dytë, tregoi një lojë të bukur, por në fund Bylisi shënoi me Akibunë, duke mbyllur ndeshjen me rezultatin 2-1. Pritet që edhe skuadra e parë e Bylisit të zhvillojë së shpejti një ndeshje miqësore, me shumë gjasa ndaj një ekipi elitë ose pretendent të Kategorisë së Parë.
RIGJENERIMI I TERRENEVE
Gjatë kësaj periudhe, klubit i është kushtuar vëmendje edhe stadiumit “Adush Muçaj”, ku zhvillojnë ndeshjet skuadra e parë dhe Bylis B, si dhe aneksit të saj. Meqë fushat janë me bar natyral, është menduar të kryhet rigjenerimi i tyre për shkak të ngarkesës së ndeshjeve dhe situatës me shirat e fundit. Stërvitjet kryesisht po zhvillohen në terrenin me bar sintetik të kompleksit “Bylis”, ndërkohë që klubi vazhdon të kujdeset për mirëmbajtjen e impiantit, duke ndjekur edhe konsulenca nga shtetet fqinje, sidomos për mbjelljen dhe ruajtjen e barit, pavarësisht disa viteve pa rigjenerim të plotë të tapetit.
ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL













