Tentativat e presidentit të Tiranës, Orges Shehi mbeti një ëndërr e pamundur
Pas largimit të Vangjel Miles, presidenti i Tiranës, Refik Halili, ka qenë në kërkim të një trajneri që jo vetëm të qetësonte situatën, por edhe të rikthente entuziazmin te skuadra dhe tifozët.
Për këtë arsye, Halili tentoi disa pista, duke kontaktuar me emra të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë. Emri më i bujshëm që u vu në tavolinë ishte ai i Orges Shehit, trajnerit që ka lënë gjurmë te bardheblutë me trofetë dhe stabilitetin që solli gjatë drejtimit të tij.
Rikthimi i tij do të kishte qenë një goditje e madhe për klubin, por në këtë rast pengesa ishte e pakapërcyeshme. Shehi është nën kontratë me Ballkanin dhe nuk kishte asnjë mundësi të shkëputej nga kampionët e Kosovës në këtë moment, paçka telefonatës së presidentit të Tiranës.
Pas kësaj piste të mbyllur, Halili u detyrua të shikonte alternativa të tjera. Pasi shqyrtoi disa kandidatura të tjera, mes tyre edhe trajnerë të huaj, zgjedhja përfundimtare ra mbi Roberto Bordin, i cili pranoi menjëherë ofertën dhe u kthye në Shqipëri për eksperiencën e tij të dytë në Superiore.
PANORAMASPORT.AL













