“Të parit do i tërheq veshin vetes”, Magani pas humbjes së Tiranës: Nuk i kam folur skuadrës, jam i kënaqur me paraqitjen
Trajneri i Tiranës, Gugash Magani, e ka cilësuar humbjen ndaj Vllaznisë si pasojë e disa gabimeve të vogla, pasi ishte i kënaqur me lojën që kishte bërë ekipi.

“Renditja është padiskutim pjesë kryesore e këtyre momenteve të këqija që po kalojmë. Jo vetëm ne, të gjithë kanë momente të këqija. Ne sot për hir të të vërtetës kemi bërë ndeshje shumë të mirë në pjesën e parë. Mund ta kishim mbyllur ndeshjen në 2-3 situata, Vllaznia përveç një rasti, të gjithë pjesën e parë jo vetëm goli por edhe rastet ishin për ne. Edhe në të dytën nuk luajtëm keq, si pësuam golat, është pasiguri, se në momente të veçanta duhet të jemi më të kujdesshëm dhe duhej ta mbyllnim që në pjesën e parë. Siguria vjen me rezultatin, jam i kënaqur me skuadrën, jo rezultatin. Jemi në pozita të vështira, nuk do dorëzohemi kurrë. Nuk i fola fare skuadrës, do analizojmë gjithçka, por me qetësi sepse jemi në një moment të vështirë.
Ilaçi është besimi që do u japim lojtarëve se janë aktorët. Kemi bërë merkato, por nuk i kemi të gatshëm, kishim mungesa. Ata që luajtën në pjesën e parë e merituan plotësisht, edhe të tjerët, por kur pëson, nuk ke çfarë thua më shumë kur je në avantazh. Ne kemi përgjegjësi, unë si trajner kam përgjegjësitë e mia, do të mundohem shumë që me eksperiencën që kam, se gjithmonë kam marrë risqe, këtë presion të mos e transmetojmë te lojtarët, por t’u japim besim se kampionati është i gjatë dhe do të dalim nga kjo gjendje e pazakontë për Tiranën.
Mendoj se gola që pësuam ishim në pozicion standart dhe një gabim nga topi në favorin tonë, u fut një top që duhej evituar. Janë lojtarë që janë me shumë eksperiencë dhe e heqin topin nga zona e rrezikshme se ndodhin këto momente, nga lodhja dhe ajo që kishim se nuk na bënte punë një pikë, ndonëse si shkoi loja do të isha i kënaqur me një pikë. Skuadra dha gjithçka, kemi bërë gabime që mendoj se janë njerëzore. Ilaçi është t’i japim besim lojtarëve, kur jemi mirë jemi të gjithë, kur jemi keq është mirë të mos i vëmë fajin njëri-tjetrit, të parët që duhet të ruajmë qetësinë jemi ne.
Analiza është diçka që është brenda shtëpisë, nuk do nxjerr asnjë sekret. Analizën dhe veshin së pari ia tërheq vetes time, se ka momente që ne besojmë më shumë se sa duhet të një lojtar, e në disa të tjerë më pak. Sot luajti Marku, më i miri në fushë për Tiranën. Të gjithë janë të rëndësishëm, asnjë nuk është i pazëvendësueshëm. Do të bëj një autoanalizë vetë, që të gjithë të marrin atë që meritojnë. Të gjithë presin nga lojtarët që janë blerë, ata që kanë një kosto, duhet të kenë më shumë përgjegjësi. Nuk i fajësoj sot, se ne kemi larguar lojtarë e kanë ardhur, ndërsa ata sulmuesit që janë futur në fund, nuk janë në kondicionin e duhur fizik dhe do të na bëjnë shumë punë deri në fund të kampionatit.
Në pjesën e dytë, kur bëmë ndryshime, ndërruam modul, futëm dy lojtarë natyral dhe Marku ishte si 6 bashkë me Metën. Pat një mosmarrëveshje që e rregulluam pak më vonë. Do të thosha që nuk ishte ky problemi, se goli i parë ishte faull ndërsa i dyti në lojë dinamike në një gabim që duhej evituar”, tha Magani për RTSH pas sfidës.
PANORAMASPORT.AL













