Të bindur që i marrin vendin Partizanit, Elbasanit i bën punë edhe… 1 pikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 16, 2025 | 22:36

Të bindur që i marrin vendin Partizanit, Elbasanit i bën punë edhe… 1 pikë

Elbasani ndodhet 180 minuta larg ëndrrës që quhet “Final 4” dhe, nëse arrihet, nënkupton një shans që të marrë pjesë në Kupat e Europës. Për ta realizuar këtë objektiv, verdheblutë e drejtuar nga Ivan Gvozdenoviç duhet të parakalojnë Partizanin, i cili qëndron vetëm një pikë larg tyre.

elbasani

Një sipërmarrje jo e lehtë, por duke ditur sesa kanë rikuperuar elbasanasit rrugës, çdo gjë duket e mundur dhe në kampin verdheblu do t’i bëjnë “hyzmetin” deri në fund. Nëse deri para pak javësh Elbasani nuk kishte asgjë në dorën e tij, ku shpresonte te ndalesa e të kuqve, tani është krejtësisht e kundërta. Arritja ose jo në vendin e katërt varet plotësisht nga këmbët e tyre. Mjafton që të fitojnë dy ndeshjet e mbetura, me Vllazninë këtë javë dhe në fund me Partizanin, për të qenë ata në garë për titullin kampion në fund.

FINALJA ME VLLAZNINË – Duket se vendi i katërt është i destinuar që të ndahet në duelin direkt, gjithnjë nëse nuk ka surpriza rrugës. Më herët, Elbasani ka një tjetër finale përpara që duhet ta kalojë me patjetër, atë ndaj Vllaznisë që do të luajë në “Elbasan Arena” këtë të shtunë. Synimi parësor është marrja e tri pikëve, por sipas llogarive, duket se edhe barazimi u bën punë, sepse sërish do të mbante të hapur çështjen e vendit të katërt në duelin final.

Me pak fjalë, verdheblutë luajnë për dy rezultate në këtë ndeshje, ku edhe në rast të një fitoreje të Partizanit në Ballsh, një pikë me shkodranët do kishte të njëjtën vlerë po aq sa edhe fitorja. Për këtë arsye, verdheblutë duhet që së paku të mos humbasin me Vllazninë, një mision që duket plotësisht i arritshëm, duke parë edhe formën që po kalojnë elbasanasit në dhjetë javët e fundit, ku nuk njohin humbje. Nëse të kuqtë nuk fitojnë më pas në Ballsh, në ndeshjen e fundit Elbasani do luante për të mos u mundur në kryeqytet, duke mos kërkuar domosdoshmërisht fitoren.

OPTIMIZMI – Arma plus që ka Elbasani në prag të duelit me Vllazninë dhe avantazhin ndaj Partizanit në fund (nëse do ndahet me ndeshje finale), është pikërisht optimizmi që mbizotëron në skuadër. Elbasanasit vijnë pas katër fitoresh radhazi, duke u konsideruar skuadra e momentit. Një ecuri të tillë ekipi nuk e ka pasur në asnjë rast këtë edicion, ndaj edhe optimizmi është në maksimum.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL