Tagani: Me “Tushen” u ndamë si miq, Tafaji deri në janar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 30, 2012 | 13:43

Tagani: Me “Tushen” u ndamë si miq, Tafaji deri në janar

Artur Lekbello nuk është më trajner i Tiranës. Vendimi është marrë dje nga drejtuesit e klubit bardheblu, të cilët menduan se kjo lëvizje është si më e logjikshmja nisur nga situata e keqe në skuadër. Lajmin e konfirmon edhe administratori Salih Tagani, i cili dha edhe detaje të këtij shkarkimi. Sipas këtij të fundit, me Lekbellon është gjetur gjuha e përbashkët dhe është zgjidhur konsensualisht kontrata që e lidhte këtë të fundit me klubin bardheblu. “Me trajnerin Lekbello gjykuam se është në të mirë të skuadrës që të mos vazhdonte më bashkëpunimi, ndaj edhe nga sot (dje) e kemi zgjidhur kontratën. Në vend të tij nga nesër (sot) do të jetë Alban Tafaji, i cili do drejtojë skuadrën deri në fund të fazës së parë. Ai do bëjë natyrisht edhe punën e trajnerit, si dhe do mbajë postin që ka, pra atë të shefit të klubit”, ka thënë Tagani menjëherë pas mbledhjes.
Problematika – Sigurisht që administratori i Tiranës nuk është aspak i kënaqur nga ecuria e ekipit, ndaj ka kërkuar që lojtarët të reagojnë që këtë javë në ndeshjen ndaj Kukësit. “Më vjen keq kur e shikoj ekipin në këtë gjendje. Kam folur me shefin e klubit, me trajnerin dhe me disa nga lojtarët dhe, pa dashur që të bëhem i keq në thonjëza duke vendosur gjoba, kam kërkuar një reagim të menjëhershëm. Është e çuditshme, pasi vjet kur kishim probleme me pagesat për shkak të burokracive dhe ristrukturimit të klubit, lojtarët luanin shumë mirë dhe skuadra merrte rezultate. Ndërsa sivjet që gjërat shkojnë shumë herë më mirë, që lojtarët i marrin rrogat në bankë dhe rregullisht, jemi në një situatë të papëlqyeshme. Kjo tregon se problemi nuk qëndron te pjesa financiare, ndaj edhe kam kërkuar që futbollistët të bëhen më të përgjegjshëm për fanellën që mbajnë veshur. Më kanë dhënë fjalën se do shohim një Tiranë tjetër që këtë javë, ndaj le të shpresojmë”, ka pohuar Tagani.
Merkato – Në fund, administratori i Tiranës ka theksuar se nuk lejon asnjë justifikim, pasi elementi në grup është i njëjtë me atë të vitit të shkuar. “Lojtarët janë po ata të sezonit të shkuar, të cilët pa mëdyshje i konsideroj si më të mirët në kampionatin shqiptar. I vetmi defekt ndoshta është te sulmi, ku Çota shikoj se ka nevojë edhe për një lojtar tjetër që ta ndihmojë nga pas, për të qenë edhe më konkret. Këtë gjë them se do ta rregullojmë me patjetër në merkaton e janarit”, ka përfunduar Tagani.

S’mblidhet bordi, largimi zyrtarizohet nga Tagani
Direkt pas ndeshjes me Skënderbeun u fol për një mbledhje të bordit drejtues të Tiranës, i cili do të analizonte edhe qëndrimin karshi trajnerit Artur Lekbello. Por fakt është se, referuar edhe deklaratës së lëshuar për shtyp nga klubi, vendimi për zgjidhjen e kontratës me Lekbellon është arritur vetëm mes këtij të fundit dhe administratorit, Salih Tagani. “Sot, më datë 29.10.2012, pranë zyrave të klubit të futbollit të Tiranës u zhvillua një takim ndërmjet administratorit të klubit Z.Tagani dhe trajnerit Artur Lekbello. Trajneri paraqiti dorëheqjen e tij si drejtues i ekipit të Tiranës. Kjo dorëheqje u pranua nga administratori i këtij klubi z.Tagani. Klubi i futbollit ‘Tirana’ falënderon z.Lekbello për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e tij, duke i uruar suksese të mëtejshme në punën e tij. Me detyrën e trajnerit të ekipit të parë të futbollit të Tiranës ngarkohet z.Alban Tafaj”, – thuhet në njoftimin për media të lëshuar nga KF Tirana.

Rikthimi i 4-t, Tafaji “kamerdarja” e shpëtimit
Dikur ishte Shkëlqim Muça. Sot është Alban Tafaji. E njëjta skenë, i njëjti klub. Shefi i klubit, që në momentet kur pankina mbetet bosh, për një mijë e një arsye nuk përton të veshë tutat e sportit, të varë bilbilin në qafë dhe të vihet në drejtim të skuadrës. Është parë kjo situatë në sezonin 2008-2009. Në fillim erdhi kroati Blazh Sliskoviç, i cili rezistoi vetëm 14 ndeshje. Pas tij, skuadrën e mori Agustin Kola (16 ndeshje) dhe në fund ishte Alban Tafaj (3 ndeshje), që e nxori për herë të fundit kampion. Një sezon më vonë, 2009-2010. Sezoni nis me Ilija Lonçareviçin në krye të ekipit (2 fitore, 3 barazime, 3 humbje, përfshi këtu edhe dy ndeshjet në Kupën e Kampioneve) dhe menjëherë pas largimit të tij ishte sërish Alban Tafaj (8 fitore, 4 barazime, 4 humbje, përfshi këtu edhe 4 ndeshje të Kupës së Shqipërisë), i cili mori drejtimin e skuadrës. Pas tij, po atë sezon drejtuan edhe Nevil Dede, Devi Muka dhe në fund Sulejman Starova. Sezoni 2012-2013, Hulian Rubio Sançez pas shumë tekash e përplasjesh nuk firmos deri në javën e dytë të kampionatit dhe, pasi largohet, skuadra i mbetet në dorë sërish Tafajit. Klubi pretendoi për një trajner të huaj, por më pas vendosi për Artur Lekbellon. Nuk zgjati shumë, vetëm tetë ndeshje dhe nga sot përsëri në krye Tafaji. “U mësova tashmë (qesh) dhe nuk më bën përshtypje. Nuk di se çfarë të them më shumë, sesa që nga dita e nesërme (sot) do flas me lojtarët për të kuptuar se ku qëndron problemi i ndeshjeve të dobëta. Sipas meje, elementi në skuadër nuk mungon, ndaj këtë gjë e shikoj më shumë psikologjike. Gjithsesi, ndeshje si atë me Kukësin në Kupë nuk keni për të parë më. Madje do tentojmë që ta kthejmë atë rezultat. E di që është shumë-shumë i vështirë, por në futboll asgjë nuk është e paarritshme. Mbaj mend që jemi mundur dikur edhe nga Luzi dhe e kemi kthyer, paçka se krahasimi nuk është se qëndron shumë, kjo në raport me kundërshtarin. Na presin ndeshje të vështira, por për Tiranën nuk duhet të jenë të tilla. Jo vetëm nisur nga emri por edhe nga lojtarët që ka, ndaj besoj se do rikthehemi fuqishëm”, ka komentuar Tafaji.

Lekbello: U largova për të mirën e klubit
Asnjë hatërmbetje, zgjidhje konsen suale e kontratës, ku nuk mungojnë as urimet e fundit karshi pasardhësit. Ky është Artur Lekbello, ish-trajneri i Tiranës, i cili menjëherë pas largimit nga drejtimi i skuadrës ka dhënë edhe arsyet se përse erdhi ky “divorc” i shpejtë me bardheblutë. “Ishte një zgjedhje e detyruar, nisur nga rezultatet që ka prodhuar skuadra gjatë këtyre javëve. Më vjen keq që nuk arrita ta ngre Tiranën në nivelet ku asaj i takon, por me shpirt uroj që pasardhësi im të bëjë një punë më të mirë dhe të arrijë që pse jo edhe të fitojë titullin në fund të sezonit”, – ka thënë Lekbello. Mjaftoi humbja në Kukës në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë 4-0, si dhe ajo e pasdites së shtunë në Korçë 0-2 ndaj Skënderbeut, që drejtuesit të kërkonin nga tekniku, përveç arsyeve të kësaj gjendjeje, edhe shpjegime nëse e ndjente veten se mund ta drejtonte ende skuadrën apo jo. Lekbello u emërua si trajner i skuadrës 24 herë kampione të Shqipërisë më 17 shtator, pra e drejtoi ekipin e tij të zemrës vetëm 42 ditë, gjatë të cilave u luajtën 8 ndeshje, 5 në kampionat dhe 3 në Kupën e Shqipërisë. Trajneri pati bilanc prej 3 fitoresh, 3 barazimesh dhe 2 humbjesh. “Kontrata mes meje dhe klubit u zgjidh konsensualisht dhe ju konfirmoj se nuk pata asnjë problem. Nuk ishte e thënë që gjërat të shkonin ashtu sikundër unë i kisha menduar, gjithsesi nuk kam asnjë hatërmbetje, kjo edhe për faktin se Tirana është ish-klubi im, ku kam kaluar një periudhë të gjatë të jetës sime si futbollist”, – ka përfunduar Lekbello. Kujtojmë se ai ka luajtur me Tiranën si futbollist, ku ka fituar titullin e parë në vitin 1985, më pas edhe dy herë të tjera në vitin 1988 dhe 1899. Në moshën 25-vjeçare ikën në Greqi, ku firmos për Aris të Selanikut. Me klubin grek është aktivizuar për 7 vjet, në vitet 1991-1998. Më pas ka punuar në akademinë e moshave të Arisit. 46- vjeçari e nisi aventurën e tij si trajner i Tiranës në ndeshjen e javës së katërt, kur triumfoi minimalisht në Gjirokastër ndaj Luftëtarit.

NDESHJET E LEKBELLOS
Luftëtari-Tirana 0-1
Partizani-Tirana 1-2
Tirana-Besa 1-1
Tirana-Partizani 1-0
Flamurtari-Tirana 1-1
Tirana-Kastrioti 0-0
Kukësi-Tirana 4-0
Skënderbeu-Tirana 2-0
BILANCI: 8 ndeshje: 3 fitore, 3 barazime dhe 2 humbje.

DEKLARATA
Ç’tha Lekbello pas ndeshjes me Skënderbeun
“Unë sot do të nisem drejt Selanikut për të parë familjen time, sepse kam tri javë që nuk e takoj. Duke qenë se Korça është shumë afër, atëherë mendova se është më mirë kështu. Të hënën do të kthehem në stërvitje për të vazhduar punën në krye të skuadrës së Tiranës. Unë nuk kam në plan të dorëhiqem, sepse me këtë ekip mund të bëjmë shumë gjëra. Vetëm se kam nevojë për mbështetje. Ne mbetemi gjithnjë pretendentë për titullin, edhe pas kësaj humbjeje”,-tha ish-trajneri i Tiranës disa minuta pas ndeshjes me Skënderbeun.

Stërvitja, Bulku merr komandën për një ditë
U kuptua largimi i Artur Lekbellos që para se ky i fundit ta konfirmonte rreth orës 18:00 të ditës së djeshme. Në fakt, në orën 15:00, Tirana kishte një seancë stërvitore në kompleksin e fushave të “Skënder Halili”-t, por trajneri nuk u paraqit. Në vend të tij në krye të ekipit ishte vënë zëvendëstrajneri Sokol Bulku, i cili drejtoi stërvitjen e djeshme. Skuadra ishte e plotë dhe pas një vrapimi të lehtë dhe disa ushtrimeve fizike zhvilloi edhe një lojë brenda grupit. Ndërkohë sot, “komanda” i kalon shefit të klubit, Alban Tafajit, i cili do të bëjë edhe punën e trajnerit, të paktën deri në fund të fazës së parë. Por, me gjasa, Tafaji mund të qëndrojë deri në fund të sezonit edhe si trajner, gjithnjë nëse edhe rezultatet i japin të drejtë.

DREJTUESI
“Gjoba ndaj lojtarëve? Do e diskutojmë”
Pas humbjes me Skënderbeun, administratori Tagani premtoi se ditën e hënë (dje) do të merreshin masa jo vetëm ndaj trajnerit, por edhe lojtarëve. “Do të marrim masa dhe do të ketë reagime me patjetër. Kjo ishte ndeshja prej së cilës prisnim fitoren, përpos faktit që e dinim se ishte e vështirë”, tha ai. Ndërkaq, i pyetur dje nëse do kishte masa edhe ndaj lojtarëve, Tagani ka pohuar se një gjë të tillë do ta diskutojë edhe një herë me shefin e klubit, Alban Tafaji dhe më pas do vendosë nëse duhen “prerë” gjobat ndaj tyre apo jo.

PEZULLIMI
Ndaj Kukësit kthehet Klodian Duro
Për këtë javë në kampionat ndaj Kukësit, te Tirana kthehet dhe mesfushori Klodian Duro. Ky i fundit përfundon pezullimin me tri ndeshje, që iu vu nga drejtuesit e klubit pas përplasjes që pati në stërvitje me ish-trajnerin Artur Lekbello. Duro mungoi në ndeshjen ndaj Kastriotit në kampionat, Kukësit në Kupë dhe Skënderbeut të shtunën e shkuar.

KOMENTI
Lekbello dhe analiza e një shkarkimi

Asnjë krizë rezultatesh apo edhe identiteti nuk vjen krejt papritur. Gjithnjë ka një indice, së cilës duke i shtuar edhe probleme të shumta, si administrative dhe teknike, të çojnë në një konkluzion si ai që mori dje Tirana: shkarkimin e trajnerit (në fakt u tha se Lekbello dha dorëheqjen). Mjafton të shkojmë jo shumë larg, por vetëm një vit më parë, kur te Tirana kishte zënë vend Hulian Rubio Sançez dhe Këshilli Bashkiak kishte dhënë aprovimin për kthimin e klubit në shoqëri aksionere. Të gjithë e mirëpritën (ndoshta edhe nga padituria), aq sa më 13 tetor edhe ish-presidenti/donatori, Refik Halili, nuk nguronte të shprehej: “shpëtuam!”. Por ja që nga aty problemet e Tiranës u bënë edhe më të koklavitura, më së pari, financat. Bashkia, referuar ligjit 8652 “për qeverisjen vendore”, nuk i kishte (dhe nuk e ka) bërë mirë llogaritë se me kthimin e klubit në sh.a do ta kishte të vështirë ose të pamundur që të miratonte buxhet për pagat e lojtarëve. Për muaj me radhë skuadra nuk u pagua dhe vetëm pas donacioneve të ndryshme (por ama të pazbardhura) dhe një shtesë në kapital (zgjidhje tipike shqiptare dhe aspak transparente) ajo u likuidua. Por, sapo u mbyll “një vrimë”, nisi problematika me rinovimin e kontratës me Rubion. Spanjolli, ndryshe nga homologët shqiptarë, u tregua një kockë e fortë, aq sa nga njëra anë nuk bëri fare merkato dhe nga ana tjetër mbajti zvarrë firmën, kjo natyrisht edhe për mefshtësi të drejtuesve. Sakaq, nga skuadra largohej Bala, sulmuesi i vetëm i ekipit dhe zëvendësohej me Çotën. Ky i fundit u mor për ekuivalencë të shkodranit, por deri tani të paktën statistikat janë krejt ndryshe. Sakaq, me Rubion drejt Vlorës, Tirana nuk bën dot merkato cilësore, duke u mjaftuar me dy-tre anonimë, që deri tani mund të gëzohen që e kanë shkuar emrin e tyre te 24 herë kampionët e Shqipërisë. Por Bala dhe merkatoja janë vetëm maja e ajsbergut, pasi Tirana ka mbetur pa trajner dhe pas një mijë e një kandidaturash, më së shumti kafeneje, vjen një bardheblu i lindur si Lekbello, por për fatin e tij të keq, pa asnjë ditë trajner në një skuadër profesioniste. Te Tirana i besojnë, sepse “Tushe” ka “ithtarë” deri në bord, të cilët gati betoheshin për kokën e këtij të fundit. Por, pas vetëm tetë ndeshjesh, ky i fundit, nga një “shpëtimtar” u kthye në një mediokër. Kur erdhi te Tirana, një bord i tërë u mblodh rreth tij dhe skuadrës, kurse dje u përcoll pa shumë ceremonira. Në këtë këndvështrim, ndoshta problemi i kësaj Tirane nuk është trajneri…
LEONARD KARAJ