Tabuja për t’u thyer/ Blutë e Dinamos, asnjëherë në një tur të tretë
Dinamo, nëse kalon skuadrën Atletik D’Eskaldes të Andorrës, do të thyejë edhe një tabu. Për herë të parë, blutë do të kalojnë në turin e tretë të një kompeticioni europian. Në 16 paraqitjet e tyre të mëparshme, blutë nuk kanë shkuar më shumë se raundi i dytë. Po kështu, Dinamo luajti për herë të parë në një ndeshje të Ligës së Konferencës.

Më parë kishte provuar Champions, UEFA dhe Kupën e Kupave. Para së enjtes të shkuar, hera e fundit që kryeqytetasit luanin në kompeticionet e kontinentit të vjetër ishte sezoni 2010-2011, kur eliminoheshin nga moldavët e Sherif Tiraspol në raundin e parë të Champions League.
Më pas, bluve iu desh të mbijetonin në kategoritë e ulëta të futbollit shqiptar për vite të tëra, derisa presidenti Bardhi vendosi të investonte në klub dhe në harkun e pak viteve e ktheu në situatën e sotme, duke fituar trofe, duke pretenduar titullin dhe nxjerrë lojtarë si Mandela apo Zabërgja, që pritet të shiten për shifra rekord.
Ashtu si shumica e klubeve shqiptare, edhe Dinamo nuk ka ndonjë bilanc mbresëlënës në kompeticionet europiane, teksa në total, sipas arkivave, ka arritur të ekzekutojë vetëm dy kualifikime. Një në 2002- shin, kundër Kaunas në Champions, dhe një tjetër më 1989, në Kupën e Kupave, kundër Çernomorets. Siç shihet në tabelë, në të gjitha rastet e tjera blutë kanë dështuar të kalojnë raundin e parë.

PANORAMASPORT.AL













