Sytë nga Kupa, Elbasani fatsjellës për Partizanin. Kryeqytetasit, ende pa fitore përballë “Tigrave” në këtë sezon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2026 | 8:29

Sytë nga Kupa, Elbasani fatsjellës për Partizanin. Kryeqytetasit, ende pa fitore përballë “Tigrave” në këtë sezon

Kjo mesjavë e futbollit shqiptar do të jetë e gjitha e dedikuar për kompeticionin e dytë më të rëndësishëm në vend, Kupën e Shqipërisë, teksa në program janë për t’u zhvilluar takimet e para të fazës çerekfinale. Partizani udhëton për në Elbasan, aty ku përballet me vendasit verdheblu, në një sfidë që pritet të jetë vendimtare për ecurinë e të dyja skuadrave në këtë turne.

elbasani-partizani

PËRBALLJET ME ELBASANIN – Pritet një sfidë mjaft e luftuar, ashtu siç kanë rezultuar të treja përballjet e këtij sezoni mes dy skuadrave, të cilat janë karakterizuar nga rivalitet dhe ritëm i lartë loje. Takimi i fundit mes tyre ishte vetëm para disa ditësh më datë 31 janar në “Arenën e Demave”, me sfidën që dhuroi shumë emocione dhe katër gola në një barazim dramatik, 2-2. Edhe dy përballjet e mëparshme mes Partizanit dhe Elbasanit kanë qenë të balancuara, me pak diferenca në lojë dhe rezultat, çka tregon se sfida mund të zgjidhet edhe nga detajet më të vogla. Partizani, në fakt, ende nuk ka mundur të fitojë përballë Elbasanit sa i takon këtij sezoni, duke pësuar një humbje me shifrat 0-1 dhe më pas duke regjistruar dy barazime, 0-0 dhe 2-2. Kjo statistikë e bën edhe më të luftuar këtë duel në Kupë, ku çdo gabim mund të rezultojë vendimtar për vazhdimësinë në kompeticion duke qenë se kohë për të rikuperuar nuk ka shumë.

VERDHEBLUTË FATSJELLËS PËR PARTIZANIN – Megjithatë, në Kupë duket se Elbasani i sjell fat të kuqve, duke qenë se në herën e fundit që Partizani ka fituar Kupën e Shqipërisë në sezonin 2003-2004, janë përballur pikërisht me këtë skuadër në fazën çerekfinale. Në atë sezon, kryeqytetasit barazonin pa gola (0-0) në transfertë dhe më pas fitonin në Tiranë me shifrat 2-1, duke u kualifikuar në gjysmëfinale, ku më pas kaluan Vllazninë dhe në fund mposhtën Dinamon në finale, duke ngritur trofeun. Kështu, Partizani do të kërkojë që historia, ashtu si para 22 vitesh, të përsëritet dhe të jetë në anën e tyre duke dalë fitues nga kjo përballje e dyfishtë me Elbasanin.

OBJEKTIVI “KUPË” – Kupa është shndërruar në një objektiv kryesor për të kuqtë, pasi iu siguron atyre një biletë për në Kupat e Europës, duke qenë se rruga për ta arritur këtë objektiv nga kampionati duket disi më e komplikuar.

RIKTHIMET – Një lajm i mirë për Partizanin në këtë moment është rikthimi i kapitenit David Atanaskoski, i cili luajti disa minuta në ndeshjen e kampionatit në Ballsh ndaj Bylisit, duke lënë kështu pas problemet në brinjë ku pati një frakturë dhe duke shtuar alternativat në repartin mbrojtës, edhe pse duhet theksuar se Paulo Buxhelaj me performancat e tij ka mundur ta zëvendësojë me sukses lojtarin nga Maqedonia e Veriut. Ndërkohë, pas pezullimit prej kartonëve të verdhë në kampionat, në dispozicion të trajnerit Oltijon Kërnaja do të jetë edhe sulmuesi Xhuliano Skuka, një tjetër opsion i rëndësishëm në fazën ofensive. Kështu, ekipi do të jetë më i plotë në këtë përballje të rëndësishme, duke synuar një rezultat pozitiv në transfertë përpara ndeshjes së kthimit. Megjithatë, jashtë mbeten Preka, Keko, Dumbia dhe Marku, i cili ka mbyllur sezonin për shkak dëmtimi, mungesa që ndikojnë në zgjedhjet e formacionit. Në këto kushte, Partizani do të përpiqet të shfrytëzojë maksimalisht alternativat në dispozicion dhe të ruajë ekuilibrin në të dyja fazat e lojës, në një sfidë që pritet të jetë e fortë dhe e luftuar deri në fund dhe nga ku llogaritë do të bëhen për 180 minuta apo edhe më shumë duke marrë parasysh se sfida mund të zgjidhet edhe në kohën shtesë apo nga ruleta e penalltive.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL