EKSKLUZIVE/ Dinamos i prishin punë, Ilir Daja kërkon sulmuesin që shpërtheu te Ballkani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2026 | 9:28

EKSKLUZIVE/ Dinamos i prishin punë, Ilir Daja kërkon sulmuesin që shpërtheu te Ballkani

Dinamo po vazhdon punën për të forcuar repartin ofensiv në këtë merkato vere dhe një nga emrat që ka hyrë në orbitën e klubit është sulmuesi Almir Kryeziu.

Almir Kryeziu ndahet me Ballkanin - Bota Sot

Lojtari shihet si një profil i mundshëm për të zëvendësuar boshllëkun e krijuar nga largimi i Dejvi Bregut, një nga figurat kryesore të sezonit të fundit te blutë. Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se kanë pasur kontakte dhe bisedime paraprake mes palëve, por ende nuk ka një marrëveshje të mbyllur. Si Dinamos, ashtu edhe lojtari nuk e kanë mbyllur derën për transferimin, megjithatë situata mbetet e hapur për shkak të konkurrencës dhe kërkesave financiare, duke qenë se pretendimet e tij janë të larta.

KONKURRENCA- Në Tetovë e konsiderojnë të kryer transferimin e tij te Shkëndija. Në këtë moment, Kryeziu është në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, pasi për shërbimet e tij interesohen edhe një klub nga Turqia si dhe Prishtina. Kjo garë e katërfishtë e ka bërë situatën më të ndërlikuar dhe e ka vendosur Dinamon në një pozicion ku duhet të lëvizë me kujdes në aspektin ekonomik. Nga ana tjetër, kërkesat financiare të lojtarit janë shumë të larta, por vlera në treg prej 750 mijë eurosh, natyrisht që mund të motivojë blutë për të përmbushur kërkesën e tij.

PROFILI- Almir Kryeziu është një sulmues krahu që aktivizohet kryesisht në krahun e majtë, por mund të përshtatet edhe në të djathtë, duke sjellë fleksibilitet në repartin ofensiv. Ai është një lojtar me driblim të mirë, aftësi në një kundër një dhe prirje për të krijuar rrezik në zonën kundërshtare. Në karrierën e tij në elitën e futbollit e Kosovës, Kryeziu ka qenë i përfshirë në mbi 200 ndeshje zyrtare, duke shënuar 37 gola dhe 37 asistime, një bilanc që tregon një lojtar konstant dhe me kontribut të vazhdueshëm në fazën ofensive. Në kampin e Dinamos, emri i tij shihet si një nga alternativat serioze për të mbushur boshllëkun e krijuar nga Dejvi Bregu, i cili ishte një nga lojtarët më produktivë të skuadrës në sezonin e kaluar. Kryeziun edhe trajneri Daja e njeh shumë mirë duke qenë se ka punuar me të te Ballkani dhe është një profil, të cilin trajneri i bluve e ka me dëshirë që ta ketë në skuadër.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL