Komiteti miratoi kërkesën e ardhur nga klubi i futbollit Partizani për zëvendesimin e tapetit me bar natyral me mbjellje me një tapet me bar hibrid. Sipas kërkesës së ardhur nga klubi, kjo zgjidhje konsiderohet më e përshtatshme, për të garantuar standarde më të larta të cilësisë së fushës, qëndrueshmëri më të madhe ndaj ngarkesës së përdorimit dhe kushte optimale për zhvillimin e aktiviteteve sportive në stadium.
“Panorama Sport” kishte raportuar më parë se bëhet fjalë për bar hibrid. Kështu që “Arena e Demave” bëhet stadiumi i dytë me bar hibrid në Shqipëri pas stadiumit “Air Albania”.
FSHF ka marrë përsipër të mbulojë financimin dhe realizimin e mbjelljes së barit në fushën e stadiumit dhe sistemin e vaditjes.
Në kompleksin “Arena e Demave” do të ndërtohen edhe dy fusha të tjera të miratuara tashmë. Në fushën me bar natyral me përmasa standarde, FSHF do të mbulojë financimin e sistemit të vaditjes, mbjelljen e barit si dhe pajisjen me porta, ndërsa në fushën tjetër po me përmasa standarde, FSHF do të vendosë tapetin artificial si edhe një set portash.
Ky investim përfaqëson një hap të rëndësishëm në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare dhe në rritjen e kapaciteteve infrastrukturore të vendit, duke konfirmuar angazhimin e FSHF-së për organizimin me sukses të finaleve të Europianit U-21 2027.














