Egnatia thyen traditën, këtë verë nuk ka shitje. Rrogozhinasit përqendrohen te skuadra që do të luajë në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 26, 2026 | 10:39

Egnatia thyen traditën, këtë verë nuk ka shitje. Rrogozhinasit përqendrohen te skuadra që do të luajë në Europë

Për vite me radhë, merkatoja e Egnatias ka ndjekur pothuajse të njëjtin skenar. Fillimisht vijnë trofetë, më pas largohen disa nga lojtarët më të rëndësishëm dhe në fund klubi arkëton shifra të konsiderueshme nga shitjet.egnatia

Këtë verë, të paktën deri në këto momente, situata është krejt ndryshe. Pavarësisht interesimit për disa prej futbollistëve kryesorë dhe zërave që qarkullojnë prej javësh, kampionët e Shqipërisë nuk kanë realizuar ende asnjë shitje. Ndryshe nga vitet e fundit, ku merkatoja e verës shoqërohej menjëherë me largime të rëndësishme, këtë herë drejtuesit kanë zgjedhur të mbajnë grupin pothuajse të paprekur. Një vendim që duket se lidhet drejtpërdrejt me objektivin madhor të sezonit: Europën.

MODEL SUKSESI – Egnatia është kthyer në një nga klubet më të suksesshme në Shqipëri jo vetëm në fushë, por edhe në aspektin financiar. Vetëm në tre sezonet e fundit, rrogozhinasit kanë arkëtuar mbi 2.2 milionë euro nga shitjet e futbollistëve. Emra si Alen Sherri, Regi Lushkja, Serxho Ujka, Melih Ibrahimoglu, Xhekson Kenio, Gytis Paulauskas apo Vusal Isgandarli janë larguar kundrejt pagesave që kanë mbushur arkat e klubit. Ajo që e bën edhe më të veçantë këtë bilanc është fakti se Egnatia ka vazhduar të fitojë edhe pas largimit të lojtarëve më të rëndësishëm. Çdo verë është dukur sikur skuadra dobësohej, por në fund ka dalë sërish kampione.

PRIORITET GRUPI – Ndryshe nga sezonet e kaluara, merkatoja aktuale po zhvillohet me një logjikë tjetër. Drejtuesit jo vetëm që nuk kanë shitur, por kanë afruar një numër të madh futbollistësh për të rritur konkurrencën në skuadër. Bitri, Smajli, Loukili, Montenegro, Jago, Diabate, Kacbufi dhe emra të tjerë janë bashkuar me grupin, duke i dhënë Nevil Dedes më shumë alternativa se kurrë më parë. Mesazhi duket i qartë: përpara ndeshjeve europiane, Egnatia nuk dëshiron të humbasë asnjë nga elementët kryesorë. Klubi ka investuar për të ndërtuar një skuadër më të thellë dhe më konkurruese, ndaj largimet e rëndësishme në këtë moment do të prishnin balancat e krijuara.

EMRAT NË TREG – Kjo nuk do të thotë se interesimi për lojtarët e Egnatias mungon. Përkundrazi, disa prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës vazhdojnë të ndiqen nga klube të huaja. Arbenit Xhemajli mbetet një nga emrat më të lakuar, ndërsa Mario Dajsinani, Fernando Medeiros apo Alessandro Albanese janë lojtarë që kanë rritur ndjeshëm vlerën e tyre pas paraqitjeve të sezonit të kaluar. Të gjithë janë nën kontratë dhe kjo i jep avantazh Egnatias në çdo negociatë të mundshme. Asnjë prej tyre nuk mund të largohet falas dhe çdo klub i interesuar duhet të ulet në bisedime me drejtuesit rrogozhinas.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL