Haland kundër Mbape, përplasje titanësh në Kupën e Botës
Franca dhe Norvegjia kanë siguruar tash më kualifikimin në fazën me eliminim direkt të Kupës së Botës 2026, por sfida mes tyre në “Boston Stadium” do të vendosë se kush do ta mbyllë Grupin I në vendin e parë. E gjithë vëmendja do të përqendrohet te dueli brenda duelit mes dy bomberëve më të mëdhenj të momentit, Kilian Mbape dhe Erling Haland.

Të dy sulmuesit kanë nisur në mënyrë të shkëlqyer Botërorin, duke shënuar nga katër gola në dy ndeshjet e para. Franca dhe Norvegjia kaluan pa vështirësi Senegalin dhe Irakun, ndërsa dy yjet realizuan nga dy gola në secilën sfidë.
Rrugëtime të ndryshme
Haland dhe Mbape janë përballur më parë në nivel klubesh, por kjo do të jetë hera e parë që takohen me fanellat e kombëtareve.
Norvegjezi 25- vjeçar po shijon Botërorin e tij të parë, ndërsa Mbape, në moshën 27-vjeçare, po merr pjesë në turneun e tretë botëror. Francezi ndihet si në shtëpinë e tij në këtë kompeticion. Ai ka shënuar 16 gola në 16 ndeshje të Kupës së Botës, duke u renditur menjëherë pas Lionel Mesit në listën e golashënuesve më të mirë në historinë e turneut.
Mbape fitoi Botërorin në vitin 2018 dhe ishte finalist në vitin 2022, ndërsa ka arritur edhe fazat me eliminim direkt në Europianët 2020 dhe 2024. Haland, nga ana tjetër, po debuton në një turne madhor me kombëtaren, por ka në palmares një trofe që Mbape ende nuk e ka fituar, Ligën e Kampionëve, të ngritur me Mançester Sitin në vitin 2023.
Dy stile krejt të ndryshme
Edhe pse konsiderohen dy nga sulmuesit më të mirë në botë, karakteristikat e tyre janë të ndryshme.
Mbape spikat për shpejtësinë marramendëse, driblimet, paparashikueshmërinë dhe aftësinë për të krijuar e përfunduar aksione. Ndërsa francezi dominon në hapësira të mëdha dhe në situatat një kundër një, Haland është mbreti i zonës. Forca fizike, efikasiteti, lëvizjet direkte dhe instinkti i jashtëzakonshëm për golin janë armët kryesore të norvegjezit. Megjithëse stilet ndryshojnë, statistikat i vendosin në të njëjtin nivel si dy makineri golash.
Rekorde pa fund
Të dy janë golashënuesit më të mirë në historinë e kombëtareve të tyre. Mbape ka realizuar 60 gola me Francën, ndërsa Haland numëron 59 me Norvegjinë. Megjithatë, sulmuesi nordik i ka arritur këto shifra në vetëm 52 ndeshje, krahasuar me 100 takimet e francezit. Mbape ka përfunduar golashënuesi më i mirë në nivel klubesh për tetë sezone radhazi, gjashtë herë në Ligue 1 me PSG-në dhe dy herë në La Liga me Real Madridin. Haland, ndërkohë, ka dominuar Premier Ligën në tre nga katër sezonet e fundit. Të dy kanë fituar gjithashtu nga dy herë “Këpucën e Artë” të Ligës së Kampionëve. Mbape ishte golashënuesi më i mirë sezonin e kaluar me Real Madridin dhe në sezonin 2023-24 me PSG-në, ndërsa Haland e arriti këtë sukses me Borusia Dortmundin dhe më pas me Mançester Sitin.
Vijat e betejës janë tërhequr
Dy sulmuesit janë përballur katër herë në nivel klubesh, me Mbape që ka triumfuar në tre raste dhe Haland vetëm një herë. Forma e tyre aktuale është mbresëlënëse. Mbape shënoi 42 gola me Real Madridin sezonin e kaluar, ndërsa Haland realizoi 38 me Mançester Sitin. Norvegjezi ka gjetur rrugën e rrjetës 16 herë në tetë ndeshjet e fundit me kombëtaren, ndërsa francezi ka shënuar 10 gola në 10 paraqitjet e fundit me “Les Bleus”. “Është një lojtar i jashtëzakonshëm, një nga më të mirët në botë”, deklaronte Haland për Mbapen në vitin 2021. Pavarësisht respektit të ndërsjellë, të dy kanë shmangur krahasimet direkte gjatë Botërorit. “Nuk po mendoj për Halandin tani. Jam i fokusuar te Iraku”, tha Mbape para ndeshjes së dytë të Francës. Pak orë më vonë erdhi përgjigjja e norvegjezit: “Sinqerisht, nuk kam ndonjë shqetësim të veçantë për Francën. Ndoshta ata do të na mundin dhe do ta fitojnë turneun”. Por nëse jashtë fushës kanë treguar kujdes për të mos hyrë në polemika, në Boston pritet një spektakël i vërtetë mes dy titanëve të futbollit botëror.
DRITAN LUNDRA-PANORAMASPORT.AL













