Supersfida e Vlorës, Ribaj paralajmëron Elbasanin: Këtë herë fitojmë ne, duam vazhdimësinë
Flamurtari pret të shtunën Elbasanin pretendent për të fituar kampionatin, një supersfidë e vështirë dhe një provë e rëndësishme për vazhdimësinë.
Fitorja me Vllazninë ka rritur energjinë dhe ndryshuar atmosferën në Vlorë, por nuk ka vend as për qetësi dhe as për pushime. Ekipi ka nisur menjëherë punën dje për një tjetër sfidë të zjarrtë. Dyshja e pankinës Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj po studiojnë edhe ndeshjet e kaluara të Elbasanit për të parë pikat e forta dhe të dobëta të kundërshtarit. Gjatë një prononcimi të dhënë për median, trajneri Ribaj komentoi takimin e radhës që do të luhet të shtunën.
Sipas tij janë të ndërgjegjshëm që do të jetë një test i vështirë dhe i fortë. Ribaj thotë se në Superiore nuk ka takime të lehta. Trajneri i vlonjatëve paralajmëron Elbasanin e vendit të dytë, se Flamurtari nuk i trembet edhe pse është i parafundit, apo i dyti nga fundit, ndaj duhet që ti bëjnë llogaritë mirë. Sipas Andi Ribajt, këtë fundjavë nuk ka rrugë tjetër, por vetëm për fitore përpara tifozerisë vlonjate.
“Me Elbasanin kemi ndeshjen e radhës. E luajmë në Vlorë dhe kjo gjë na motivon edhe më shumë, pasi do të kemi edhe përkrahjen e tifozëve tanë. Do ta përgatisim këtë takim në mënyrën më të mirë gjatë kësaj jave. Natyrisht që objektivi ynë është që të fitojmë, për të marrë tri pikë të tjera. E kemi grupin e lojtarëve dhe këtë gjë e treguan edhe në ndeshjen me Vllazninë kryesuese. Ne e dimë që do të jetë një ndeshje të vështirë dhe na pret sërish një test shumë i fortë. Në Superiore nuk ka asnjë ndeshje të lehtë ndaj detyra që na del përpara është vetëm fitorja. Nuk kemi më kohë për të humbur. Në çdo ndeshje tani na duhet të marrim vetëm maksimumin”, shprehet Ribaj.
VAZHDIMËSIA – Në Vlorë janë të lumtur për fitoren me Vllazninë, por njëkohësisht edhe me “këmbë në tokë”. Trajneri Andi Ribaj thekson se tripikëshi me shkodranët ishte mëse i merituar dhe shumë i rëndësishëm për vazhdimësinë dhe për ta mbushur me besim skuadrën.
“Këto tri pikë që morëm me Vllazninë ne i meritonim. Ishin shumë të rëndësishme për vazhdimësinë e ekipit. Kjo fitore na jep besim për më tej dhe na motivon edhe më shumë që të arrijmë objektivin që kemi. Patjetër që ishte shumë e vështirë pasi sipas mendimit tim por edhe të stafit që drejtoj, pasi ne e kishim studiuar edhe gjatë javës kundërshtarin, Vllaznia është ekipi i momentit në kampionatin shqiptar. Ata janë ekipi më i mirë që këtë vit po dominon Superioren dhe kjo e bën fitoren tonë edhe më të merituar dhe na gëzon shumë”, përfundon Ribaj.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













