Superkupa, “test force” për Egnatian e Tetovës
Egnatia vjen në ndeshjen e Superkupës ndaj Dinamos me qetësinë e një skuadre që e njeh mirë peshën e trofeve dhe kërkesat e ndeshjeve finale.
Kampionët aktualë duket se i kanë të gjitha kartat në rregull për këtë përballje, jo vetëm për faktin se mbajnë titullin kampion, por edhe për vazhdimësinë që kanë treguar gjatë këtij sezoni. Mbyllja e kampionatit si kampione dimri është një tregues i qartë se skuadra e Tetovës ka ruajtur standarde të larta dhe nuk ka pasur luhatje të theksuara. Ecuria në kampionat ka qenë e qëndrueshme, me një identitet loje të konsoliduar dhe me një grup që funksionon prej kohësh së bashku.
Egnatia ka ditur të menaxhojë ndeshjet e vështira, duke marrë maksimumin edhe në momente kur loja nuk ka qenë në nivelin më të lartë. Kjo i jep skuadrës një lloj sigurie përballë një rivali si Dinamo, që historikisht di të jetë i rrezikshëm në ndeshjet direkte. Për këtë arsye, Superkupa shihet më tepër si një test force dhe karakteri, sesa si një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht.
PENALLTITË, MERAKU I TETOVËS – Megjithatë, në kampin e Egnatias ekziston një detaj që nuk kalon pa u vënë re. Trajneri Edlir Tetova dhe stafi teknik janë të vetëdijshëm se ndeshjet e këtij formati shpesh dalin nga kontrolli dhe mund të zvarriten përtej 90 minutave. Pikërisht këtu qëndron edhe meraku kryesor: shtesat dhe, mbi të gjitha, penalltitë. Nga pika e bardhë, Egnatia nuk ka pasur rezultate pozitive dhe kjo është kthyer në një lloj kompleksi për skuadrën. Pavarësisht cilësisë së lojtarëve dhe mënyrës se si ndërtohet loja, penalltitë kanë qenë shpesh një pengesë e pakalueshme. Rasti më domethënës mbetet finalja e Kupës, ku Dinamo arriti t’i rrëmbente trofeun pas penalltive, duke shfrytëzuar pikërisht dobësinë më të njohur të kampionëve.
Për këtë arsye, objektivi i Egnatias është i qartë: të kërkojë zgjidhjen e ndeshjes brenda kohës së rregullt, të ruajë ekuilibrin dhe të mos e çojë sfidën në një territor ku historia nuk flet në favor të saj. Tetova kërkon një skuadër pragmatiste, të përqendruar dhe të saktë në momentet kyçe, për të shmangur lodhjen e panevojshme dhe për të mos e lënë fatin të luajë rolin kryesor. Superkupa mbetet një trofe simbolik, por për Egnatian kjo ndeshje shërben edhe si një provë pjekurie. Një fitore do të ishte konfirmim i rrugës së ndërtuar, ndërsa mënyra se si do të menaxhohet ndeshja mund të tregojë shumë për ambiciet e skuadrës në vazhdim.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













