Superkupa për lavdinë, Dinamo kërkon të tretën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 26, 2025 | 10:04

Superkupa për lavdinë, Dinamo kërkon të tretën

Dinamo e mbylli fazën e dytë të Superiores me dy fitore të rëndësishme, duke mundur Vorën dhe Partizanin. Këto dy fitore, kanë kthyer besimin dhe atmosferën në kampin blu, teksa në prag është ndeshja e së dielës, ku kryeqytetasit do të kërkojnë trofeun e parë sezonal.

dinamo

Për të bërë diçka të tillë, Dinamos i duhet që të mundë kampionen e Shqipërisë, Egnatian e cila është njëkohësisht edhe fituese në fuqi e Superkupës, pasi në vitet e fundit, rrogozhinasit kanë vënë diktatin në futbollin shqiptar. Skuadra e drejtuar nga Daja, e ka mundur një herë Egnatian në finale këtë sezon dhe ishte pikërisht finalja e Kupës, aty ku Dinamo u rikthye te trofetë pas shumë vitesh mungesë, ndërkohë që të dielën do të kërkohet fitorja e trofeut të dytë e cila do të ishte Superkupa e tretë për Dinamon.

HISTORIA- Dinamo ka fituar 2 herë të tjera Superkupën e Shqipërisë dhe për herë të parë e ka bërë në vitin 1990 kur bëhej fjalë për Superkupën e vitit 1989. Kjo ka qenë edhe Superkupa e parë në histori, trofe të cilin për herë të parë e shijonte pikërisht Dinamo pasi mundi në finale Tiranën me rezultatin 2- 0. Vetëm një vit më vonë, blutë ishin sërish në finale, por aty u mundën me penallti nga Flamurtari. Kjo humbje me Flamurtarin, u pasua nga 3 humbje të tjera për skuadrën e Dinamos, ku fillimisht luajti në vitin 2002, duke humbur në mënyrë të turpshme ndaj Tiranës, aty ku skuadra e Dinamos u mund me rezultatin e thellë 6-0. Një vit më vonë, Dinamo e humbi sërish finalen e Superkupës dhe ishte sërish Tirana skuadra që e mundi, këtë herë me rezultatin e pastër 3-0. Për herë të fundit, Dinamo e humbi finalen e Superkupës në vitin 2010, aty ku Besa e mundi me rezultatin 3-1, ndërkohë që skuadra kryeqytetase dy vite më parë, kishte fituar në finale. Ka qenë gushti i vitit 2008, kur Dinamo u rikthye te fitorja duke mundur në finale Vllazninë për të arkivuar në këtë mënyrë trofeun e dytë, ndërkohë që në datën 28 dhjetor, do të synojë që të marrë Superkupën e tretë në histori, që më shumë se për vlerën monetare që është zero, vlerë ka lavdia dhe trofeu.

ILIR DAJA- Trajneri i Dinamos është padyshim një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e futbollit shqiptar e jo vetëm. Trajneri i bluve, ka fituar çdo trofe të mundshëm në Shqipëri e në Kosovë, por me një mungesë të vetme, Superkupën e Shqipërisë. Mund të duket e çuditshme, por Daja nuk e ka fituar asnjëherë këtë trofe pavarësisht se ka fituar në karrierën e tij 3 herë titullin kampion e 2 herë Kupën e Shqipërisë. Madje, Daja e ka fituar Superkupën në Kosovë, krahas 3 titujve kampion dhe 1 Kupe me Ballkanin, ndërkohë që të dielën e 28 dhjetorit do të synojë që të shtojë edhe trofeun e vetëm që i mungon nga kampionati shqiptar.

NDESHJET- Dinamo ka qenë një skuadër rekord për sa i përket numrit të ndeshjeve të zhvilluara gjatë një viti kalendarik. Së bashku me Egnatian, që aktualisht mban petkun e kampiones së Shqipërisë, dy klubet pritet të mbyllin vitin me plot 50 ndeshje, duke përfshirë edhe ndeshjet e planifikuara deri në fund të sezonit. Dinamo e ka nisur vitin më 10 janar, me humbje 2-1 ndaj Bylisit, por më pas zhvilloi një sezon të suksesshëm duke arritur deri në finale të Kupës së Shqipërisë, ku edhe triumfoi. Me përfundimin e sezonit, klubi u kualifikua në “Final 4”, ku u eliminua, por më pas zhvilloi finalen për vendin e tretë kundër Partizanit, duke siguruar një vend në Kupat e Europës.

Gjatë verës, Dinamo u angazhua në Ligën e Konferencës, ku luajti në tre ture të kompeticionit, duke u eliminuar në Play Off nga Jagiellonia. Në sezonin e ri futbollistik, Dinamo dhe Egnatia do të luajnë një ndeshje më shumë se ekipet e tjera, pasi më 28 dhjetor është planifikuar finalja e Superkupës së Shqipërisë. Nga 10 janari deri më 23 dhjetor, Dinamo ka zhvilluar 36 ndeshje në Superiore dhe 2 ndeshje në Final 4. Përveç tyre, skuadra ka luajtur 6 ndeshje në Ligën e Konferencës dhe 6 të tjera në Kupën e Shqipërisë, si edhe ka të fundit në Superkupë në datën 28 duke e bërë një nga ekipet më të angazhuara gjatë vitit 2025. Skuadrat nuk do të kenë shumë kohë për të pushuar as pas finales, duke qenë se kampionati nis në mesin e janarit, ndërkohë që do të ketë edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, kështu që në ditët e para të 2026, do të nisin përgatitjet për vitin e ri kalendarik, ku synimet e skuadrave janë të qarta.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL