Sulmuesi i Vorës, Ruzgis: Zhbllokimi im do të jetë shpërthyes, e nis me gol 2026-ën
Ndeshja e fundvitit për Vorën ishte fatsjellëse për lojtarin lituanez, Manfredas Ruzgis, që vetëm pas 18 javësh në Superiore, ai arriti të zhbllokohej e të shënonte golin e parë.

Kujtojmë se ai ishte bomberi kryesor që ngjiti Vorën në Superiore, me 24 golat e shënuar prej tij duke qenë dhe golashënuesi më i mirë për kategorinë e parë. Ai për “Panorama Sport” do të shprehet i lumtur për kthimin në fushë.
“U zhbllokova, tani do shpërthej. Dëmtimi para startit të kampionatit, në miqësoren ndaj Laçit, më ndoqi gjatë gjithë ndeshjeve të Superiores, duke më penalizuar, që të mos luaja në shumë ndeshje. Madje edhe kur jam aktivizuar edhe pse i kam ndjerë dhimbjet, kam dëshiruar ti përballoj me shumë sakrificë e sforcim nga ana ime, në mënyrë, që të luaja për të marrë dhe minutazhin e nevojshëm që unë të mos humbas formën dhe nuhatjen e golit”, shprehet fillimisht Ruzgis.
Më pas ai flet edhe për zhbllokimin e tij, pikërisht në ndeshjen e fundit të vitit, kundër Bylisit, duke thënë: “E vuajta shumë, hoqa një ngërç, ishte bërë gangrenë kjo punë. Por secila do kohën dhe minutën e vet. Ndoshta kjo ndeshje ishte ajo që solli ditën time, që unë të zhbllokohesha. Tani nuk do të përmbahem, pasi mbyllja e dy fazave dhe rifillimi kampionatit pas disa ditëve pushim, do të më japë edhe më shumë kohë në dispozicion për të rikuperuar në mënyrë më të plotë gjendjen time. Kam besim të plotë se do ta nis me gol vitin e ardhshëm që në ndeshjen e kupës kundër Teutës”, është shprehur Ruzgis në prononcimin e tij pas ndeshjes kundër Bylisit në “Selman Stërmasi”.
ABDULLA DUSHKU-PANORAMASPORT.AL













