Sulmuesi i Elbasanit plot besim, Bunjaku para Egnatias: Synojmë rezultate të mëdha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 29, 2025 | 19:23

Sulmuesi i Elbasanit plot besim, Bunjaku para Egnatias: Synojmë rezultate të mëdha

Pas suksesit në ndeshjen e parë të kampionatit, Elbasani shkon në transfertë përballë Egnatias me synimin e qartë për të vazhduar me të njëjtin ritëm dhe për të marrë një tjetër rezultat pozitiv. Fitorja e parë ka rritur moralin dhe ka krijuar një atmosferë shumë optimiste në kampin verdheblu, duke treguar se skuadra është gati të rivalizojë edhe me kundërshtarët më të fortë.

Screenshot 2025-08-29 192213

Trajneri Ivan Gvozdenoviç ka në dispozicion të gjithë lojtarët për këtë sfidë, pasi nuk ka asnjë mungesë nga dëmtimet apo pezullimet. Grupi është i plotë dhe konkurrenca në çdo repart është një sinjal i qartë se verdheblutë do të udhëtojnë drejt Rrogozhinës me kartat e hapura. Stafi teknik është i kënaqur me gjendjen fizike dhe psikologjike të lojtarëve, ndërsa atmosfera brenda ekipit është pozitive. Fitorja e parë shërbeu jo vetëm për pikët në renditje, por edhe për të konsoliduar besimin se Elbasani mund të jetë një skuadër konkurruese në Superiore.

Në prag të sfidës me kampionët e Egnatias, mbeten ende disa detaje për t’u vendosur sa i përket formacionit titullar. Trajneri Gvozdenoviç ka disa dilema taktike, sidomos në fazën sulmuese, ku konkurrenca është e fortë. Megjithatë, një gjë është e sigurt: Elbasani do të zbresë në fushë për të sulmuar dhe për të kërkuar fitoren, pavarësisht emrit të kundërshtarit.

BUNJAKU – Sulmuesi Fatjon Bunjaku, i afruar këtë merkato vere te Elbasani, ka shprehur entuziazmin e tij për ambientin dhe mikpritjen që ka gjetur në skuadrën verdheblu. Ai shihet si një përforcim i rëndësishëm për repartin ofensiv të ekipit. Në prononcimin e dhënë për mediat, Bunjaku është ndalur te pritja që ka marrë nga klubi, duke e cilësuar atë si të ngrohtë: “Pritja ka qenë shumë e mirë, si nga lojtarët, stafi dhe tifozeria.

Ndihem shumë mirë që jam pjesë e këtij klubi me një traditë shumë të madhe”, u shpreh fillimisht futbollisti nga Kosova. Ai ka vlerësuar gjithashtu edhe harmoninë që ekziston brenda skuadrës, e cila sipas tij reflektohet si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. “Atmosfera është shumë e mirë brenda klubit, si në fushë edhe jashtë saj”, theksoi 21- vjeçari. Bunjaku ka folur edhe për fazën përgatitore dhe punën e bërë nga ekipi gjatë verës, duke nënvizuar vendosmërinë për të dhënë maksimumin në çdo ndeshje:

“Kemi punuar shumë si ekip edhe gjatë ndeshjeve miqësore, fazës përgatitore. Ne në çdo ndeshje do të presim gjithnjë maksimumin”, tha shkurtimisht sulmuesi i Elbasanit, i cili ndaj Flamurtarit bëri edhe debutimin me verdheblutë. Sulmuesi i ri i Elbasanit duket plot besim dhe optimizëm për sezonin që po vjen. Puna në stërvitje, afrimet cilësore dhe mbështetja e tifozëve po krijojnë një klimë pozitive, ku pritshmëritë janë të larta. Me kontributin e tij në repartin e avancuar, Bunjaku pritet të jetë një nga pikat e forta të skuadrës që drejtohet nga Ivan Gvozdenoviç.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL