Statistikat e Flamurtari-Vllaznia/ Dominim i shkodranëve, vlonjatët regjistrojnë vetëm një fitore në 8 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 24, 2025 | 11:00

Statistikat e Flamurtari-Vllaznia/ Dominim i shkodranëve, vlonjatët regjistrojnë vetëm një fitore në 8 vite

Statistikat e ndeshjes së radhës në kampionat mes Flamurtarit dhe Vllaznisë në vitet e fundit flasin qartazi në favor të shkodranëve. Kështu fitorja e fundit e Flamurtarit ndaj Vllaznisë në kampionat shënohet në fazën e parë të këtij sezoni.

Vllaznia

Ku vlonjatët në kuadër të javës së 9-të triumfuan kundër kuqebluve me shifrat 1-0, falë një penalltie të shndërruar në gol nga Herald Marku. Por, përpara këtij dueli, suksesi i fundit i kuqezinjve datonte më 09.12.2017, pra para 8 vitesh. Ku në atë periudhë vlonjatët triumfonin në shtëpi në kuadër të sezonit 2017-18 me rezultatin 2-0 falë golave të Mustës dhe Kamara. Që nga ai moment mes shkodranëve dhe bregdetarëve janë luajtur edhe 13 ndeshje të tjera mes kampionatit dhe kupës.

Ku në kupë përballjet u shndërruan në një traditë në edicionet e fundit, kjo pasi Flamurtari për disa sezone qëndroi në ligat inferiore të futbollit tonë. Duke mos pasur kështu mundësinë për të zhvilluar përballje në Superiore me Vllazninë. Kështu në 13 ndeshjet e zhvilluara që nga fitorja e fundit e kuqezinjëve në vitin 2017, Vllaznia ka fituar 9 prej tyre. Kjo duke theksuar këtu edhe përballjet në kompeticionin e kupës dhe jo vetëm ato në kampionat. Nga këto 13 ndeshje, 3 prej tyre kanë përfunduar në barazim mes dy skuadrave.

E ndërsa Flamurtari ka fituar vetëm një ndeshje gjatë kësaj periudhe 8-vjeçare dhe kjo në datën 26.09.2022. Ku në kuadër të turit të 1/16 të kupës për edicionin 2022-23 fitonin në shtëpi me shifrat 2-1 ndaj Vllaznisë. Sukses që nuk do vlente shumë, pasi në kthim do përmbyste gjithçka Vllaznia me rezultatin 3-0, duke u kualifikuar kështu në turin tjetër të kompeticionit. Pra, shifrat tregojnë një dominim të shkodranëve në dekadën e fundit në përballjet me Flamurtarin. Statistika të cilat 9 herë kampionët e Shqipërisë do kërkojnë t’i pasurojnë akoma më tepër këtë të mërkurë, ku do jenë pritës në Shkodër përballë Flamurtarit në kuadër të javës së 18- të të sezonit 2025-26.

PANORAMASPORT.AL