Statistika pozitive në Shkodër/ Vllaznia shënon shumë, por varet nga kapiteni Balaj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 9, 2026 | 11:15

Statistika pozitive në Shkodër/ Vllaznia shënon shumë, por varet nga kapiteni Balaj

Pika më e fortë në shumicën e sezonit deri tani për skuadrën e Vllaznisë ka qenë shënimi i golave. Ekipi i drejtuar nga Edi Martini pas 18 javësh kampionat që përkojnë me gjysmën e edicionit, ka shënuar 24 gola.balajKu vetëm Dinamo me 27 gola të shënuar deri më tani e ka gjetur rrjetën më shumë se kuqeblutë, të cilët aktualisht kanë sulmin e dytë më të mirë në kampionat. Por, pavarësisht këtij fakti, duket se te shkodranët ka një lloj varësie përsa i përket shënimit të golave. Kështu 10 prej golave të shënuar deri më tani në kampionat kanë “firmën” e Balajt, i cili po ashtu është edhe golashënuesi më i mirë i kampionatit. Kapiteni i skuadrës shkodrane është “ndihmuar” pak nga kolegët e tij të sulmit përsa i përket golave të shënuar. Ku ka një diferencë në sasi krahasuar me secilin prej kolegëve të repartit të avancuar. Duke nisur me Malën, i cili pavarësisht se nuk është një futbollist tipik i repartit sulmues, është aktivizuar aty për pjesën dërrmuese të sezonit deri më tani.

Futbollisti nga Prizreni ka shënuar vetëm dy gola deri më tani në kampionat, pavarësisht kontributit të tij shumë të rëndësishëm në fushën e lojës. Po ashtu edhe futbollistë të tjerë si Bismark apo Kastrati, nga të cilët pritet të bëhet diferenca me anë të golave, nuk kanë arritur ta bëjnë diçka të tillë deri më tani. Ku secili nga dy futbollistët e sipër përmendur kanë shënuar vetëm nga një gol deri në javën e 18-të të kampionatit në Superiore. Pra, pavarësisht golave të shumtë që ka shënuar Vllaznia, “varësia” mbetet tek Balaj. Ku rrjetat e sulmuesit janë “jetike” për kuqeblutë, të cilët patjetër krenohen dhe janë të kënaqur që kanë një lider të tillë në gjirin e tyre. Por, që patjetër presin edhe golat e futbollistëve të tjerë të repartit të avancuar, në mënyrë që ndeshjet të zgjidhen edhe kur Balaj nuk është në formë apo nuk arrin të gjejë golin.

NDESHJET NË SHTËPI – Vllaznia po zhvillon një sezon shumë pozitiv në ndeshjet e luajtura në stadiumin “Loro Boriçi”, duke u shndërruar në një nga skuadrat më të forta të kampionatit përballë tifozëve të saj. Kuqeblutë kanë grumbulluar plot 22 pikë në ndeshjet shtëpiake gjatë sezonit 2025-26, një tregues i qartë i vazhdimësisë dhe stabilitetit që ekipi shkodran ka ndërtuar në shtëpi. Statistikat flasin qartë edhe në aspektin ofensiv dhe defensiv. Vllaznia ka arritur të shënojë 22 gola në ndeshjet e zhvilluara në Shkodër, ndërsa ka pësuar vetëm 6, duke treguar një ekuilibër të shkëlqyer mes repartit të sulmit dhe atij mbrojtës. Presioni i vazhdueshëm dhe organizimi taktik kanë qenë armët kryesore të kuqebluve në fushën e tyre.

Në bilancin e rezultateve, Vllaznia numëron 7 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. Një ndalesë pa fitore ka qenë barazimi 1-1 përballë Bylisit, ndërsa disfata e vetme ka ardhur ndaj Teutës me shifrat minimale 0-1. Megjithatë, këto rezultate nuk e kanë lëkundur besimin e skuadrës, e cila vazhdon të jetë ndër më konstantet në ndeshjet shtëpiake. Tashmë vëmendja e Vllaznisë zhvendoset edhe te Kupa e Shqipërisë, ku kuqeblutë synojnë të thellojnë më tej këto statistika pozitive. Të shtunën, ekipi shkodran do të përballet me Pogradecin, në një ndeshje ku objektivi është i qartë: fitore dhe vazhdimësi. Me mbështetjen e tifozëve dhe formën aktuale, Vllaznia kërkon ta shndërrojë edhe kompeticionin e kupës në një tjetër histori suksesi në shtëpi.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL