Stadiumi i ri, klubi i Superiores do kalojë një fazë në shtëpi
Një mbyllje fantastike, Vora i ka bërë gjysmës së sezonit të parë, historik të saj, teksa ka goditur në shenjë 4 herë në portën ballshiote, duke pësuar vetëm një gol. Ky regjistrohet si rezultati më i thellë i vorakëve në 18 ndeshjet e dy fazave të para të kampionatit.

Deri para kësaj ndeshje të fundit të vitit, si rezultat më i thellë mbahej fitorja ndaj Tiranës në fazën e parë 3-1 në Laç. Kështu skuadra vorake i mbyll dy fazat e para në një vend “komod” në të 7-tin që nuk cenohet nga zona e “ftohtë”, pavarësisht se zona “play out” ndodhet vetëm një pikë larg e ajo cenohet përsëri nga skuadra ballshiote, Bylisi që ndodhet në vendin e 8-të. Ky pozicionim i Vorës mund të kalojë edhe më lart gjatë fazës së tretë, ku vorakët do të luajnë të gjitha ndeshjet në shtëpinë e saj.
NJË FAZË NË SHTËPI – Vora, duke qenë se kishte bërë marrëveshje me skuadrat kundërshtare, që takimet e saja në shtëpi t’i luante gjatë fazës së parë e të dytë në shtëpinë e kundërshtarëve, tashmë dakortësitë e tyre duhen zbatuar, gjatë fazës së tretë, ku sipas marrëveshjes i bie, që Vora t’i luajë të 9 ndeshjet e fazës së tretë në shtëpinë e saj. Kështu pasi ka luajtur dy ndeshjet me Partizanin në shtëpinë e të kuqve, Vora dy ndeshjet e fundit me këtë kundërshtar do t’i luajë në stadiumin e saj “Vora”, siç është premtuar që stadiumi do të funksionojë i plotë për skuadrën e Vorës, që në ndeshjen e parë të fazës së tretë, kundër Partizanit.
KUPA E SHQIPËRISË – Vora e nis vitin 2026 me ndeshjen e parë në Kupën e Shqipërisë, një ndeshje që do të luhet jashtë shtëpisë së saj, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit ku si kundërshtar e pret Teuta vendase, në një ndeshje teke që do të përcaktohet pas 90-minutave skuadra kualifikuese. Kjo ndeshje do të luhet më 9 janar 2026. Kjo bën, që lojtarët të kenë pushime vetëm ditët e para të ndërrimit të viteve (4 ditë pushime nga 31 dhjetori deri më 4 janar). Edhe në këtë kompeticion, Vora kërkon të shkojë sa më lart, ku dëshiron që ta kalojë skuadrën e kategorisë superiore.
STËRVITJET – Vora pas asaj fitoreje nga më të thellat e këtij sezoni, do të rikthehet sërish në seancat stërvitore që sot, pasi ju la dy ditë pushim lojtarëve për shkak të Krishtlindjeve dhe do të vijojë sërish përgatitjet, deri më 30 dhjetor, ku më pas lojtarët do të marrin pushimet që cilësuam më lart.
PANORAMASPORT.AL













